Një gjykatë egjiptiane ka dënuar të dielën me burg të përjetshëm 21 kundërshtarë të regjimit, me pretendimin për shkaktimin e dhunës gjatë kohës kur në Egjipt po kryhej grushti i shtetit kundër presidentit Mohamed Morsi në vitin 2013, raporton Anadolu Agency (AA), duke iu referuar burimeve gjyqësore.
“Të pandehurit, të cilët u gjykuan në mungesë, akuzoheshin se gjatë vitit 2013 kanë nxitur dhunë në provincën Menoufiya, në deltën e Nilit”, tha burimi i lartpërmendur në kushte anonime.
Sipas burimit, me akuza të ngjashme, gjykata ka dënuar edhe tetë persona të tjerë të cilëve u është shqiptuar dënimi me nga shtatë vite burg. Verdiktet e së dielës mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit.
Në vitin 2013, Egjipti u përfshi nga trazira si rrjedhojë e grusht shtetit ushtarak me të cilin u përmbys presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Morsi, drejtues i grupit Vëllazëria Muslimane.
Që atëherë, autoritetet egjiptiane kanë zhvilluar një fushatë të pamëshirshme mbi mbështetësit e Morsit dhe mbi anëtarët e Vëllazërisë Muslimane, duke vrarë qindra dhe duke arrestuar mijëra pjesëtarë të saj.
Regjimi madje ka shpallur Vëllazërinë Muslimane si organizatë terroriste.