Burg dhe gjobë për gruan më të pasur të Norvegjisë

Gruaja më e pasur e Norvegjisë u dënua me 18 ditë burg me kusht dhe një gjobë prej 26 000 eurosh, pasi rezultoi se drejtonte makinën me një nivel të alkoolit mbi normën e lejuar.

”Trashëgimtare e një familjeje investitorësh dhe industrialistësh, Katharina Andresen kishte një nivel të alkoolit prej 0,64 gramë për litër në gjak, gjatë një kontrolli rutinë rrugor të realizuar në prill”, sipas një vendimi të gjykatës të publikuar sot.

Në Norvegji, vend jashtëzakonisht strikt mbi këtë çështje, niveli i alkoolit i autorizuar është 0,21 gramë për litër, njofton Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këto lloj shkeljesh dënohen kryesisht me një gjobë të barabartë me 1,5 muaj rrogë bruto.

Kjo 22-vjeçare ishte ende studente dhe nuk kishte rrogë, kështu që gjykata e Oslos vendosi ta përllogarisë gjobën duke u bazuar në pasurinë e saj që arrin rreth 800 milionë euro.

“Më vjen keq që i kam dhënë makinës me një nivel alkoli mbi normën”, kishte reaguar Katharina Andresen nëpërmjet një SMS-je që ia kishte dërguar gazetës “Finansavisen” që kishte publikuar këtë çështje.

“Besoja se kishte kaluar mjaftueshëm kohë që niveli të kishte rënë në zero por duhej ta kisha verifikuar. Më vjen shumë keq”, shtoi ajo.

Trashëgimtarja e pasur u dënua gjithashtu me një pezullim prej 13 muajsh të patentës, që do të duhet të bëjë një provim në përfundim të kësaj periudhe./ ata.gov.al/