Bullgaria ka planifikuar të shtyjë mbylljen e planifikuar të centraleve të saj me qymyr me rreth 12 vjet, deri në vitin 2038, edhe pse sipas një marrëveshjeje me BE-në synohet eliminimi i energjisë së qymyrit deri në vitin 2026.
Parlamenti në Sofje udhëzoi të enjten qeverinë të negociojë me Komisionin Evropian për tërheqjen e marrëveshjes së mëparshme. Marrëveshja i kërkon Sofjes të reduktojë emetimet e dioksidit të karbonit në industrinë e energjisë me 40%, deri në fund të vitit 2025 krahasuar me vitin 2019.
Këto reduktime përkthehen në një eleminim të mundshëm të qymyrit deri në vitin 2026.
Punonjësit e industrisë së qymyrit janë shprehur në favor të shtyrjes së mbylljeve të centraleve me qymyr deri në vitin 2038. Ata u ankuan se zbatimi i objektivave të mëparshëm do të rrezikonte sigurinë e energjisë dhe shumë vende pune.
Vendimi parlamentar në favor të centraleve me qymyr u miratua përfundimisht me një shumicë dërrmuese prej 187 votash pro. Vetëm dy ligjvënës votuan kundër planit dhe nëntë abstenuan.
Centralet me qymyr në Bullgari plotësojnë gjysmën e kërkesës totale të energjisë elektrike të vendit gjatë verës, dhe rreth 60% në dimër, sipas të dhënave të industrisë. /koha