Bullgaria mohon se do t’i bashkohet aleancës ushtarake Shqipëri-Kroaci-Kosovë

Bullgaria ka hedhur poshtë informacionet se po planifikon t’i bashkohet marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes të nënshkruar muajin e kaluar midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Siç raporton Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA), ministri i Jashtëm Georg Georgiev ka thënë të martën se informacionet që sugjerojnë se Bullgaria ka shprehur interesim jozyrtar për deklaratën mbi bashkëpunimin e mbrojtjes midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë të pasakta.

Reagimi i tij ka ardhur në një përgjigje me shkrim ndaj disa deputetëve.

“Bullgaria është në dijeni të nismës së Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës dhe po analizon me kujdes tekstin e Deklaratës së Përbashkët të nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të tri vendeve në Tiranë më 18 mars 2025. Informacioni publik që sugjeron se Bullgaria ka shprehur interes jozyrtar për t’iu bashkuar deklaratës është i pasaktë”, ka thënë Georgiev.

Siç ka thënë Georgiev, Ministria e Jashtme ka marrë një kopje zyrtare të dokumentit të nënshkruar përmes një note verbale nga Ambasada e Shqipërisë në Sofje më 25 mars, por “nuk është kontaktuar apo konsultuar Ministria apo pala bullgare në lidhje me iniciativën nga propozuesit e saj dhe as nuk është bërë ndonjë ftesë zyrtare për anëtarësim”.

Nga ana tjetër, në një intervistë ekskluzive për TRT Balkan, Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci tha se Bullgaria është në kontakt me palën kroate dhe mund t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje.

Ndryshe, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia më 18 mars në Tiranë kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Sipas një njoftimi zyrtar pas nënshkrimit, ky bashkëpunim synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tri vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.