Për harmoninë ndërfetare te shqiptarët kanë shkruar me admirim shumë autorë të huaj. Atyre që u pengoi kjo harmoni tentuan ta mohojnë ose të nxisin përçarje ndërfetare. Pati edhe autorë që nuk arritën ta kuptonin se shqiptarët e besimeve të ndryshme mund të jetonin bashkërisht dhe në paqe, si vëllai me vëllanë, prandaj mendonin se shqiptarët nuk ishin besimtarë.
Salajdin SALIHU, Tetovë
Në vendet me tempuj religjionesh të ndryshme mund të shohim bukurinë e shumëllojshmërisë fetare. Kjo larmi krahasohet me një kopsht me lule shumëngjyrëshe, ku secila prej tyre e shfaq bukurinë mbresëlënëse. Ndodh që këtë bukuri ta kemi para syve dhe mos ta shohim. Dallimet i konsiderojmë si rrezik, në vend se t’i shohim si bukuri.
Hapësira shqiptare është e bukur për shkak të shumëllojshmërisë fetare. Është edhe më e bukur për shkak të harmonisë ndërfetare, që është quajtur “vlerë e trashëguar kombëtare”. Larminë e botës shqiptare, Eqrem Çabej e quajti “diversitet në unitet”.
Për harmoninë mbresëlënëse ndërfetare në mesin e shqiptarëve kanë meritë pjesëtarët e të gjitha besimeve. Duke e vlerësuar diversitetin fetar brenda vetes, shqiptarët ishin më të mbrojtur edhe nga ksenofobia (frika nga e huaja). Kjo vlerë i nderon shqiptarët e të gjitha besimeve, veçanërisht ata të besimit islam, sepse, duke qenë shumicë, jo që nuk i shtypën shqiptarët e besimit të krishterë, por bashkëjetuan me ata vëllazërisht, në qetësi dhe në harmoni, duke e ndarë të mirën dhe të keqen.
Për harmoninë ndërfetare te shqiptarët kanë shkruar me admirim shumë autorë të huaj. Atyre që u pengoi kjo harmoni tentuan ta mohojnë ose të nxisin përçarje ndërfetare. Pati edhe autorë që nuk arritën ta kuptonin se shqiptarët e besimeve të ndryshme mund të jetonin bashkërisht dhe në paqe, si vëllai me vëllanë, prandaj mendonin se shqiptarët nuk ishin besimtarë.
Në hapësirën shqiptare nuk janë shënuar përplasje ndërfetare. Përkundrazi, historia jep shembuj të panumërt solidariteti dhe harmonie ndërmjet pjesëtarëve të besimeve të ndryshme. Në shumë vende lartësohen tempujt fetarë: xhami, teqe dhe kisha të vjetra. Kjo dëshmon se shqiptarëve nuk u ka penguar besimi i tjetrit.
Studiuesit ofrojnë argumente të panumërta se harmonia ndërfetare te shqiptarët është traditë e konsoliduar dhe e krijuar ndër shekuj.
Mjerisht, sot hapen debate të dëmshme. Kemi “të gjithëdijshëm” që flasin për gjithçka me kompetencë të frikshme.
Kur flasim dhe shkruajmë për religjionin, përveç njohurive të thella nga disa sfera të dijes, duhet të kemi edhe ndjenjë përgjegjësie e tolerance. Të kujdesemi që mos t’i lëndojmë ndjenjat e besimtarëve, sepse ekstremi e nxit ekstremin.
Debatet për religjionin janë pa dobi. Të dobishme janë kontributet për dialog, mirëkuptim, tolerancë dhe harmoni ndërfetare.
Në një studim, ku flitet se çfarë nuk është dialogu ndërfetar, mes tjerash thuhet se dialogu ndërfetar nuk është studim krahasues i feve, por takim me tjetrin nëpërmjet shpirtit dhe zemrës. Dialogu ndërfetar nuk është debat, sepse debati nxjerr humbës dhe fitues, kurse në dialog të gjitha palët janë fituese e askush nuk është humbëse, sepse kështu i thellojnë njohuritë dhe vlerësimin e përbashkët për Zotin, botën dhe njëri-tjetrin. Dialogu ndërfetar nuk ka për qëllim të krijojë unitetin e të gjitha feve, por të krijojë ura mirëkuptimi e bashkëpunimi midis besimtarëve të feve të ndryshme. Dialogu ndërfetar nuk është përpjekje e fshehtë për të kërkuar të konvertuar nga feja tjetër, por kur pjesëtarët e feve ndajnë bindje të ndryshme dhe i njohin vlerat e veçanta te tjetri. Dialogu ndërfetar është takim i njerëzve të feve të ndryshme në atmosferë lirie dhe hapjeje. Është pranim, komunikim dhe bashkëpunim me tjetrin. (“What Interreligious Dialogue Is Not”, CID, 2015.)
E sipërthëna vlen edhe për realitetin shqiptar. Mjerisht, ka gjithollogë që flasin për religjionin siç flasin me pasion tifozët për ekipet e tyre të preferuara.
Nëse nisemi nga formula se “liria ime përfundon aty ku fillon liria e tjetrit”, atëherë duhet ta kemi parasysh se nuk është liri mendimi të nxisësh urrejtje fetare ose etnike. Mjerisht, kohëve të fundit nxiten debate të dëmshme, që duan ta cenojnë harmoninë ndërfetare.
Ka predikues që i fyejnë simbolet kombëtare, por edhe opinionistë që ende besojnë se “religjioni është opium për masat” dhe fenë e shohin si armike të kombin. Feja dhe kombi nuk janë kategori përjashtuese. Branko Merxhani shkroi se ata që duan të krijojnë shoqëri ateiste janë kriminelë.
Ka dinjitarë fetarë që janë të ditur dhe me kulturë. Ata nuk shkojnë në drejtim të turmës, por të së vërtetës. Ata e dinë se çfarë thonë dhe çfarë shkruajnë. Ashtu siç ka edhe të tjerë që japin opinione për gjithçka që ndodh në shoqëri dhe më shumë ngjajnë me analistët e përditshmërisë. Të këtillët i kanë braktisur tempujt fetarë dhe janë bërë pjesë e rrjeteve sociale. Flasin për historinë pa e njohur. Flasin për gjeopolitikë thuajse kanë ndonjë ndikim në rrjedhat globale.
Prijësit fetarë duhet të jenë të përkorë e skofiarë. Ata nuk guxojnë t’i irritojnë njerëzit me deklarata kundër vlerave kombëtare. As të tjerët nuk duhet që me deklaratat e tyre të nxisin urrejtje ndërfetare.
Për ruajtjen e harmonisë ndërfetare duhet të angazhohen të gjithë dhe në veçanti bashkësitë fetare. Të jenë sa më aktive e sa më bashkëpunuese. Bashkësitë fetare e kanë theksuar se harmonia fetare është thesar dhe vlerë qytetëruese e kombit shqiptar. Kur këtë e thonë njerëzit e fesë, atëherë duhet të bindemi se kjo nuk bie ndesh me doktrinat religjioze, por është në thelbin e tyre.
Në studimin Toleranca Fetare në Shqipëri (2018), i realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, konstatohet se “bazat e tolerancës fetare në Shqipëri janë thellësisht të rrënjosura në traditat dhe kulturën shoqërore”; se “shqiptarët krenohen me traditën e tolerancës fetare”; se “mendojnë që ajo daton nga koha që s’mbahet mend”. Dhe, arrihet në përfundimin se “situata e tolerancës fetare në Shqipëri ka mbetur e qëndrueshme, sepse drejtuesit fetarë u kanë bërë thirrje besimtarëve të tyre të qëndrojnë larg konflikteve dhe kanë bërë apel për mirëkuptim dhe dialog të ndërsjellë”. (f. 7 – 21.)
Edhe studime të tjera arrijnë në të njëjtin përfundim. Megjithatë, nuk mjafton vetëm të themi që situata është e qëndrueshme, por duhet të punohet vazhdimisht për ruajtjen e kësaj vlere humane, emancipuese dhe qytetëruese.
Ata që tentojnë ta cenojnë harmoninë fetare, si vlerë madhore dhe qytetëruese, nuk do të kenë sukses në qëllimin e tyre të mbrapshtë, sepse është pjesë e kodit identitar të shqiptarëve dhe është krijuar përgjatë një procesi historik. Por, mund të shkaktojnë dëme. Harmonia ndërfetare nuk është cenuar as në rrethana më të pafavorshme, kur qarqe të ndryshme bënë çmos që të nxisnin përçarje fetare në mesin e shqiptarëve. Dhe, nuk ia arritën qëllimit. /revistashenja