Kjo është një recetë fanatstike që shijon në çdo kohë e të mrekullon me kombinimin e saj mes bukës së misrit të përgatitur në shtëpi dhe ajkës.
Zakonisht, kjo është një nga pjatat kryesore të preferuara të servirura në çdo restorant me gatime tradicionale.
Por e përgatitur në shtëpi, shija e saj është më e mrekullueshme.
Përgatitja e Bukës së Misrit në Ajkë
Përbërësit
- 1 kg miell misri
- 700 ml ujë i ngrohtë
- 3 lugë vaj ulliri
- 1 lugë gjellë kripë
Për Ajkën
- 4-5 lugë gjelle ajkë kosi (e gjeni në dyqanet e bulmetit)
- 4-5 lugë gjelle ajkë qumështi (e gjeni në dyqanet e bulmetit)
- Kripë
- 2-3 thelpinj hudhra
Përgatitja
Në një enë të pastër hedhim 1 kg miell misri bashkë me pak vaj ulliri.
Më pas shtojmë pak ujë të ngrohtë, por më parë sigurohemi që të mos jetë i përvëluar.
Sipas traditës së gjysheve tona, ngrohtësia e ujit duhet të jetë e përballueshme aq sa ta durojmë nëse e provojmë me gishtin e vogël të dorës.
Hedhim ujin në enën ku kemi miellin e misrit dhe vajin e ullirit.
Më pas hedhim dhe një lugë gjelle kripë dhe i përzjejmë me një lugë druri.
Më pas shtojmë pjesën tjetër të ujit të ngrohtë dhe vijojmë të përziejmë derisa të kemi një masë të njëtrajtshme.
Në vijim, masën e përftuar e shtrojmë në tavë apo në një tepsi të vogël, të cilën më parë e kemi lyer me vaj ulliri.
Pasi hedhim masën në tavë dhe e hapin në mënyrë të njëtrajtshme, lyejmë me një furçë me pak vaj ulliri edhe pjesën e sipërme.
Tavën e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë për 40 minuta.
Kur piqet, buka e misrit merr një ngjyrë të artë, të praruar me disa nuanca portokalli të errët.
Ndërkohë në një tas, bashkoni ajkën e kosit dhe qumështit, shtoni kripën dhe hudhrat e shtypura, përzjeini mirë të gjitha bashkë.
Nëse nuk keni ajkë kosi dhe qumështi, mund të përdorni kos të thjeshtë dhe qumësht sipas masave dhe procesit të mësipërm.
Bukën e misri pasi të jetë ftohur pak, prijeni në feta të vogla drejtkëndore dhe zhyteni në masën e ajkës që keni përgatitur dhe shijojeni.