Përgatitja e bukës së misrit është një traditë e vjetër e amvisave Shqiptare, ndaj dhe metodat e gatimit të saj janë të shumta.
Nga ajo më klasikja e cila përgatitet thjeshtë me ujë të nxehtë dhe pak kripë, e deri tek ato më të komplikuara me qumësht e vezë.
Sot kemi zgjedhur që t’ju tregojmë përgatitjen e bukës së misrit me kos të freskët shtëpie.
Vetëm në pak minuta ju do të mbushni shtëpinë tuaj me një aromë të përkryer, dhe do të keni zbukuruar tryezën tuaj me shijen më të mirë.
Përbërësit
400gr miell misri
1 lugë e vogël sodë buke
2 filxhan çaji kos
30gr gjalpë ose 1 lugë gjelle me vaj ulliri
1 lugë kafeje me kripë
Përgatitja
Për përgatitjen e kësaj recete të përdorni miellin e misrit të verdhë pasi i jep bukës një butësi perfekte.
Merrni një tas dhe aty hidhni miellin, sodën e bukës, e kripën dhe më pas përzjejini mirë që soda dhe kripa të mos mbeten në një vend.
Diçka e tillë do të prishte shijen e bukës duke e bërë atë të hidhur.
Ndërkohë në një tas të vogël përzieni kosin me vajin e ullirit ose gjalpin e shkrirë.
Krijoni një masë të njëtrajtshme të cilën do ta hidhni tek mielli.
Përzieni masën me një lugë druri derisa të krijoni brumin e bukës.
Nëse brumi ju del shumë i ujshëm, mjafton të shtoni 1-2 lugë gjelle me miell misri, kjo ndodh për shkak të sasisë së lartë të ujit që ka pasur kosi.
Pasi ta keni përzierë mirë, brumin kalojeni tek një tavë e lyer me vaj ulliri ose gjalpë sipas dëshirës suaj.
Përhapeni në të gjithë sipërfaqen e tavës duke e shtypur me duar brumin.
Futeni në furrë të parangrohur me 180-200 gradë dhe piqeni për 40-50 minuta.
Nëse sipërfaqja e bukës ka marrë ngjyrë të artë të thellë, atëherë provoni me një thikë nëse dhe brenda është pjekur aq sa duhet.
Nëse sipërfaqja e thikës del e pastër atëherë buka është gati.
Pasi të jetë pjekur lëreni të kullojë e më pas largojeni nga tava dhe shërbejeni të ngrohtë.
Këtë bukë mund ta konsumojnë të gjitha ata persona që kanë ndjeshmëri ndaj glutenit, një proteinë që gjendet tek gruri, elbi, thekra etj.
Gjithashtu ajo mund të përdoret dhe si një zëvendësuese e denjë e bukës së misrit të blerë.