ushdo që është rritur me gjyshërit pranë, me siguri e kujton aromën e mirë të bukës së sapodalë nga furra.
Pavarësisht nga varietetet që mund të gjeni jashtë në dyqane, butësia që buka e shtëpisë ka është e pazëvendësueshme.
Prandaj në recetën e sotme AgroWeb.org ju sjell një mënyrë shumë interesantë të përgatitjes së saj.
Mblidhni të gjithë përbërësit dhe ndiqeni hap pas hapi përgatitjen e bukës më të shijshme me qumësht e gjalpë.
Përbërësit
- 250 ml ujë
- 2 lugë gjelle gjalpë
- 125 ml qumësht
- 2 lugë gjelle mjaltë
- 1 lugë gjelle maja buke
- 500 gr miell
- 1 lugë çaji kripë
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e këtij gatimi AgroWeb.org ju këshillon që të ndizni fillimisht furrën në temperaturën 200 gradë C.
Më pas vini një tenxhere në zjarr dhe ngrohni gjalpin, ujin, qumështin dhe mjaltin për disa minuta.
Bëni kujdes që të gjithë këta përbërës të ngrohen pa i lënë që të ziejnë apo avullojnë.
Nëse janë shumë të nxehtë apo shumë të ftohtë, do të ndikojnë tek aktivizimi i majasë së bukës.
Kur masa të jetë e ngrohtë, hidheni në një enë të thellë, shtoni majanë e bukës në formën e pluhurit dhe përzieni mirë.
Lëreni këtë masë për pushojë për disa minuta, derisa majaja të aktivizohet dhe të krijojë shkumën karakteristike të saj.
Më pas shtoni rreth 400 gr miell tek kjo masë, pra jo të gjithë sasinë e miellit që përshkruhet më lart në recetë.
Në fund spërkatni me kripë dhe përzieni me anë të një rrahësi elektrik duke përdorur një shpejtësi mesatare.
Do të formohet një masë brumi e hollë të cilës nëse shikoni që ngjitet në enë, duhet t’i shtoni edhe pjesën tjetër të miellit.
Përdorni vetëm 500 gramë miell në total për të gjithë këtë proces, në mënyrë që buka juaj të dalë në mënyrën e duhur.
Përzieni brumin dhe kur të jetë formuar një top i madh e pa kokrriza, kalojeni në një enë të lyer me gjalpë.
Mbulojeni me një napë dhe lëreni të pushojë për 15 minuta.
Pas këtij hapi, merrni brumi dhe ndajeni në toptha të vegjël për të formuar edhe kuleçët e bukës.
Duhet të formohen rreth 15 kuleçë të vegjël.
Zgjidhni një tavë mesatare pjekje, lyejeni me pak vaj ose gjalpë dhe shtroni kuleçët njëri pas tjetrit mbi të.
Në këtë pikë, mbulojeni bukën sërish me një napë apo pecetë dhe lëreni të pushojë për 15 – 20 minuta të tjera.
Për pjekjen
Më pas futeni tavën në furrë dhe piqeni për 15 minuta në temperaturë 200 gradë C.
Buka do të jetë gati kur të shikoni që ka marrë ngjyrë të pjekur të artë në sipërfaqe.
Kur të jenë gati, nxirrini nga furra dhe lyejeni me pak gjalpë të shkrirë sipër sipas dëshirës dhe shërbejini menjëherë të ngrohta.