Bugatti ‘për fëmijë’ që kushton më shumë se disa vetura luksoze familjare

Bugatti ka përgatitur një veturë për ‘fëmijë’ që do të jetë më e shtrenjtë se shumë modele familjare luksoze.

Bugatti Tourbillon II në përmasat e veturës për fëmijë, do të prodhohet në një seri të kufizuar dhe çmimi ende nuk është bërë i ditur, por besohet të jetë më shumë se 65 mijë euro.

Ky model do të jetë me motor elektrik dhe është duke u prodhuar nga kompania Hedley Studios, me rastin e 115 vjetorit të markës Bugatti, transmeton Telegrafi.

Motori elektrik dhe bateria që furnizojnë këtë “veturë për fëmijë” mjaftojnë për shpejtësinë maksimale prej 65 km/h.

Siç thanë dizajnerët, kombinimi i modernes dhe tradicionales në këtë model duhet të “tregojë gjithë fuqinë e një prej markave më prestigjioze në botë”.

Frymëzimi për “Baby II Tourbillon” është Bugatti Type 35, një veturë garash e prodhuar nga Bugatti nga viti 1924 deri në 1930, dhe konsiderohet si një nga veturat më të famshme Grand Prix të të gjitha kohërave.