Bruçaj: Muaji ku dalin në pah vlerat universale humane

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën nisin nesër agjërimi dhe lutjet për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj i drejtoi sot me këtë rast një mesazh urimi të gjithë besimtarëve myslimanë.“Nesër në 27 maj është dita e parë e këtij muaji të Bekuar dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit për të gjithë besimtarët myslimanë anë e mbanë botës.Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Ramazani është muaji ku dalin në pah vlerat universale humane; të bujarisë, të mirësisë, të dashurisë, te respektit ndaj njeri-tjetrit, vlerat që simbolizojne moralin e lartë shoqëror”, thekson Bruçaj. Ramazani, vijon ai, është një kohë e rëndësishme reflektimi për të gjithë besimtarët për të përmirësuar lidhjet fare-fisnore dhe shoqërore me njëri-tjetrin, për të forcuar ndjenjën e bujarisë dhe solidaritetit me njerëzit në nevojë!“

Ky muaj i begatë na sjell në vëmendje kujdesin dhe përkushtimin që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara, dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre, në mënyrë që të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja në të gjitha familjet shqiptare”, përfundon kryetari i Komunitetit Mysliman, Bruçaj.Gjatë muajit të Ramazanit myslimanët ndalojnë ushqimin, pijen nga agimi deri në perëndimin e diellit, si dhe ndajnë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët. Këtë radhë, agjërimi llogaritet mbi 17 orë në ditë. Dita e shtunë shënon nisjen e muajit të Ramazanit.