Qeveria britanike dëshiron t’u japë mundësinë emigrantëve që mbërrijnë ilegalisht në Britani të shkojnë vullnetarisht në Ruanda, tha sot Ministria e Brendshme, e cila thuhet se është e gatshme t’u paguajë atyre deri në 3,000 paund për të shkuar në vendin afrikan.
Londra ka hartuar një plan për gati dy vjet për të deportuar emigrantët që mbërrijnë në Britani ilegalisht në Ruanda, përpara se kërkesat e tyre për azil të përpunohen, pavarësisht nëse janë dakord apo jo.
Ky plan është jashtëzakonisht i diskutueshëm dhe madje u dënua nga OKB-ja. Për kryeministrin konservator britanik Rishi Sunak, ky është një “prioritet kombëtar urgjent”. Megjithatë, deri më tani asnjë avion me emigrantë nuk është nisur për në Ruandë.
Pas disa pengesave në gjyqësor, një projektligj i ri po shqyrtohet aktualisht nga parlamenti, ku po përballet me kundërshtime të forta në Dhomën e Lordëve, dhoma e lartë e parlamentit britanik.
Megjithatë, një marrëveshje tjetër tani e tutje mund të lejojë që emigrantët të largohen vullnetarisht për në Ruanda, njoftoi sot ministria e brendshme.
“Ne po shqyrtojmë mundësinë për të dërguar vullnetarisht në Ruanda ata migrantë që nuk kanë të drejtë të jenë këtu,” tha një zëdhënës i ministrisë.
Ruanda “është gati të mirëpresë njerëzit që duan të rindërtojnë jetën e tyre dhe që nuk mund të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar,” shtoi ai.
Zëdhënësi sqaroi se vitin e kaluar 19,000 persona janë “deportuar vullnetarisht nga Britania”, pa specifikuar se nga kanë ardhur apo se ku kanë shkuar.
Marrëveshja e re ka të bëjë me emigrantët, kërkesa e të cilëve për azil është refuzuar dhe për këtë arsye nuk mund të qëndrojnë legalisht në Britani, por as nuk mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Sipas gazetës britanike “Times”, emigrantët mund të marrin deri në 3000 paund (rreth 3509 euro) për tu vendosur në Ruandë. Ata do të marrin mbështetje nga autoritetet e Ruandës për një periudhë deri në 5 vjet, kryesisht për strehim.
Ky sistem i ri mund të shqetësojë kryesisht emigrantët që vijnë nga Afganistani ose Irani.
Qeveria britanike thotë se Ruanda është një vend “i sigurt”. /abcnews