Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Britania strategji kundër obezitetit

Britania strategji kundër obezitetit

Britania do të përcaktojë strategjinë e saj të parë kombëtare të ushqimit kundër obezitetit e fokusuar në shtimin e prodhimit vendas për të rritur sigurinë ushqimore. Më herët kryeministri britanik Boris Johnson paraqiti një propozim për taksimin e kripës dhe sheqerit në ushqimet e përpunuara për të ulur mbipeshën, por kjo gjë iu refuzua. Qeveria tha se agresioni rus në Ukrainë ka goditur furnizimet ushqimore duke shkaktuar rritje të çmimeve.

Plani do të ruajë gjerësisht nivelin aktual të ushqimit të prodhuar në vend, ndërsa rrit prodhimin në disa sektorë si hortikultura dhe prodhimet e detit. Sektori i bujqësisë do të marrë një total prej 270 milionë paund investime deri në vitin 2029, ka bërë të ditur qeveria.

Kryeministri Boris Johnson tha se strategjia do të mbështesë fermerët dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e furnizimeve ushqimore kundër goditjeve të ardhshme ekonomike. “Duke shfrytëzuar teknologjitë e reja dhe inovacionin, ne do të rritemi dhe do të konsumojmë më shumë nga ushqimi ynë, duke hapur vende pune në të gjithë vendin dhe duke rritur ekonominë, e cila nga ana tjetër do të ndihmojë në uljen e presionit mbi çmimet,” tha Johnson në një deklaratë.

Partia Laburiste edhe më herët ka deklaruar se qeveria ka dështuar të jepte financime në sektorët jetikë kjo edhe për shkak të krizës si ajo e pandemisë dhe lufta që ka prekur mbarë botën. Reuters raporton se Mbretëria e Bashkuar është në një krizë dhe njerëzit po përballen me kosto të jetesës me çmimet e ushqimeve në rritje, paga të ulëta dhe taksat që rriten.

Nuk ka dyshim se obeziteti po bëhet një problem i madh në Mbretërinë e Bashkuar. Me mbi gjysmën e popullsisë tashmë të klasifikuar si mbipeshë ose obeze, numri i problemeve shëndetësore të lidhura si diabeti dhe presioni i lartë i gjakut po rritet gjithashtu, gjë që mund të çojë në ulje të jetëgjatësisë dhe rritje të presionit mbi autoritetet shëndetësore. 64 përqind e të rriturve britanikë tani janë mbipeshë. /klannews

Exit mobile version