Kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotuan për thellimin dhe forcimin e partneritetit midis vendeve të tyre.
Johnson dhe Biden biseduan të enjten për herë të parë ballë për ballë.
Takimi u zhvillua në prag të samitit të grupit të vendeve më të industrializuara, G7, i cili i hap punimet të premten në Kornuoll të Anglisë.
Johnson e përshkroi dëshirën e Bidenit për të punuar me Britaninë për një sërë çështjesh – nga ndryshimi i klimës deri te pandemia COVID-19 dhe siguria – si “një thithje të madhe të ajrit të pastër”.
“Është diçka e re, është interesante dhe po punojmë shumë së bashku. Biseduam për rreth një orë e 20 minuta, apo më shumë. Ishte një takim i gjatë, i mirë. Mbuluam një gamë të madhe çështjesh”, tha Johnson pas takimit.
Vizita e Bidenit në Evropë është e para jashtë SHBA-së prejse ka marrë detyrën e presidentit në muajin janar.
Pas takimit me Johnsonin, Biden konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të blejnë 500 milionë vaksina kundër koronavirusit dhe se do t’i dhurojnë ato në vendet me të ardhura më të ulëta.
“Donacionet tona me vaksina nuk përfshijnë presion për favore, ose koncesione të mundshme. Po e bëjmë këtë për të shpëtuar jetë”, tha Biden, duke u zotuar se Amerika do të jetë “arsenali i vaksinave” ashtu siç ka qenë “arsenal i demokracisë gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Biden gjithashtu u bëri thirrje vendeve të tjera që të ndjekin SHBA-në, duke thënë se “është në interesin tonë të shohim rimëkëmbjen e ekonomisë globale”.
Bidenit dhe Johnsonit do t’iu bashkohen të premten edhe udhëheqësit e tjerë të G7-ës, përkatësisht ata të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. /rel