Britania pret që Iz’raeli të respektojë ligjin ndërkombëtar

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy tha se pret që Izraeli të mbajë përgjegjësitë e tij që burojnë nga ligji ndërkombëtar, transmeton Anadolu.

Lammy iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Dhomës së Komunave në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Britanik. Duke i përshkruar ngjarjet në Rripin e Gazës si “jashtëzakonisht të tmerrshme”, Lammy tha se Izraeli, si fuqi pushtuese ka detyrime që rrjedhin nga ligji ndërkombëtar.

Ai thekson se komuniteti ndërkombëtar ka qëndrim të qartë për këtë çështje. “(Opinioni ndërkombëtar) Duhet ta mbajë Izraelin përgjegjës për këtë çështje. Ato që ne presim nga Izraeli i cili është një vend demokratik, është që të mbajë përgjegjësitë e tij që burojnë nga e drejta ndërkombëtare”, tha Lammy.

Duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve izraelitë për aneksimin e tokave palestineze, Lammy tha: “Unë do të bëj gjithçka që mundem që kjo të mos ndodhë”.

Sekretari britanik tha vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë zgjidhjen me dy shtete dhe se po punojnë çdo ditë për një armëpushim në Gaza.

– “Vendimi i Izraelit për UNRWA-në është i gabuar”

Lammy tha se shumicën e viktimave në Gaza e përbëjnë gratë dhe fëmijët. Ai më tej potencoi çështjen e ndalesës së Izraelit për aktivitetet e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

“Mendoj se ky është vendimi i gabuar për sigurinë e Izraelit dhe për ata që kanë nevojë për shërbimet e UNRWA-së”, tha Lammy i cili shtoi se ata mirëpritën marrëveshjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit.