Agjencia e komunikimeve të inteligjencës (GCHQ) në Britani të Madhe ka përgënjeshtruar pretendimet se kanë përgjuar presidentin amerikan Donald Trump.
GCHQ, pretendimet e përmendura nga komentatori në kanalin televiziv Fox News dhe të ripërsëritura dje nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, e ka cilësuar si “plotësisht komik” pohimin se kjo organizatë e inteligjencës ka ndihmuar ish-presidentin amerikan Barack Obama për të përgjuar Donald Trumpin.
“Pretendimet e fundit nga komentatori mediatik Andrew Napolitano se nga GCHQ është kërkuar të përgjojë presidentin e zgjedhur janë të pakuptimta. Ato janë krejtësisht qesharake dhe duhet të injorohen”, thuhet në deklaratën e agjencisë.
Ndryshe, Napolitano ka pohuar se Obama ka përdorur GCHQ-në dhe jo inteligjencën amerikane gjatë përgjimit të Trumpit me qëllim që të “mos lë gjurmë”.
Ndërkaq, Donald Trump, në një postim në rrjetin social, shkroi: “Tmerr! Mësova se Obama ka përgjuar Trump Tower-in pak para fitores sime (presidenciale). Nuk u gjet asgjë. Si ra Obama aq poshtë sa të m’i përgjojë telefonat e mi gjatë zgjedhjeve shumë të shenjta”.
Dihet se inteligjenca amerikane dhe ajo britanike kanë bashkëpunim të afërt. Ish-analisiti i sistemit në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë në SHBA (NSA), Edward Snowden, në vitin 2013 nxorri në dritë aktivitete të inteligjencës amerikane dhe asaj britanike përmes disa dokumenteve të rrjedhura.