Britania e Madhe dhuron katër dronë për Policinë e Kosovës

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti dhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves në kuadër të partneritetit dhe bashkëpunimit kanë nënshkruar marrëveshje mbi pranim-dorëzimin e një donacioni për Policinë e Kosovës.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media nga PK-ja, kjo marrëveshje ka të bëjë me dhurimin e katër dronëve, të cilët do të ndihmojnë njësitet policore në identifikim, gjurmim, monitorim dhe përcaktim të vendndodhjes së veturave dhe personave të dyshimtë.

“Duke përdorur imazhërinë/rezolucionin e lartë dhe aftësitë termale të këtyre pajisjeve, mund të ndihmojnë njësitet policore në marrje të vendimeve të bazuara në informacion, fotografi, xhirime dhe imazhe/prova”, thuhet në komunikatë.

Tutje sipas komunikatës, pajisjet do të luajnë rol jetësor në Policinë e Kosovës, e sidomos te njësitet kufitare.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka falënderuar Ambasadën Britanike në Kosovë për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës.