Mediat britanike shkruanin sot se një nga të dyshuarit për vrasjen barbare të një mësuese të shkollës fillore Sabina Nessa është një shqiptar shofer shpërndarjeje.
36-vjeçari i paemëruar ende u arrestua dje herët gjatë një aksioni në shtëpinë e tij në qytetin lindor Eastbourne, pasi policia e kishte gjurmuar deri në adresë.
Prej atëherë apartamenti i tij i vogël është duke u analizuar nga mjekësia ligjore.
Detektivët kishin përdorur kamerat e sigurisë me njohje automatike të numrave të targave duke zbuluar adresën e tij në qytetin bregdetar pas kthimit nga Londra.
Një makinë gri Nissan Micra u mor nga policia për hetime të mëtejshme.
Ndërkohë një i dyshuar i tretë mbetet i arrestuar për vrasjen që tronditi Britaninë, teksa një 40-vjeçar dhe një 38-që u arrestuan, tashmë po hetohen në gjendje të lirë.
Një nga fqinjët e shqiptarit tha për mediat: “Ishte person i qetë, nuk fliste kurrë, shpërndante porosi ushqimi me makinën e tij”.
“Është me origjinë shqiptar, por nuk e kemi parë prej një muaji. Vinte këtu në dyqan për rimbushje të celularit dhe për sende të vogla. Ishte person i padëmshëm, mbante gjithmonë kokën ulur”.
Ndërkohë inspektori i policisë Neil John, tha se familja e zonjës Nessa ishte informuar për arrestimin dhe po u jepej mbështetje psikologjike nga oficerë të trajnuar.
Lajmi vjen disa ditë pasi policia bënte apel për një të dyshuar me një automjet që ishin parë pranë vendit ku u vra 28-vjeçarja Miss Nessa me një goditje në kokë.
Në pamje një burre pa flokë shihet me një objekt të kuq reflektues në dorë, teksa përpiqet të fshehë në mëngë. Objekti besohet se është arma e krimit,por policia tha se gjithsesi po mban mendje të hapur për subjektin.
Zonjusha Nessa u pa për herë të fundit e gjallë kur doli nga shtëpia të premten e 17 shtatorit për të shkuar në një bar pesë minuta larg shtëpisë. Mëngjesin tjetër ajo u gjet e vdekur në parkun pranë banesës ku po kalonte, 150 metra larg shtëpisë së saj.
Vrasja e rëndë ka ndezur debatin për sigurinë e grave në rrugët e Britanisë. Ajo vjen vetëm gjashtë muaj pas vrasjes së 33 vjeçares Sarah Everard, që u mor peng dhe u vra nga një oficer policie jashtë detyrës. /tch