Britani, aktakuzë ndaj 16 vjeçarit për sulmet me acid

Policia Metropolitane në Londër bëri të ditur se 16-vjeçari ballafaqohet me 15 pika të aktakuzës, përfshirë edhe atë për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore.

Autoritetet britanike kanë ngritur aktakuzë kundër një të mituri për shkak të sulmeve me acid në Londër, përderisa qeveria shqyrton zbatimin e dënimeve të ashpra për të parandaluar sulmet e ngjashme, raporton Anadolu Agency (AA).

Policia Metropolitane në Londër bëri të ditur se 16-vjeçari ballafaqohet me 15 pika të aktakuzës, përfshirë edhe atë për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore.

I riu, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, u arrestua pasi javën e kaluar pesë ngasës me motoçikleta janë sulmuar brenda 90 minutave. Në mesin e të lënduarve ishin edhe furnizues të ushqimit.

Për shkak të rastit të njëjtë, u arrestua edhe një 15-vjeçar por është liruar me kaucion.

Policia ka njoftuar se numri i sulmeve të paraqitura me lëndë korozive në Londër nga 261 në vitin 2015 është rritur në 454 në vitin 2016. Disa nga këto sulme janë të lidhur me vjedhjen e makinave dhe motoçikletave.

Qeveria britanike për shkak të shtimit të sulmeve me acid po mendon për të rritur dënimet deri në burgim të përjetshëm./Mesazhi/