Brigadat Kassam dhe Brigadat Al-Quds shënjestrojnë forcat izraelite në Gaza

Foto nga arkiva

Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit dhe Brigadat Al-Quds, krahu ushtarak i Lëvizjes Xhihadi Islamik njoftuan se kanë kryer sulme që vendosën në objektiv ushtarët dhe automjetet izraelite në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Që të dy grupet kanë bërë deklarata të ndara nga llogaritë e tyre në Telegram.

Në deklaratën e Brigadës Al-Quds thuhet se u rrëzua një dron izraelit, ushtarët izraelitë të vendosur në një ndërtesë në qytetin Khan Younis në jug të Gazës u shënjestruan me raketa dhe se në të njëjtin vend një tank u hodh në erë.

Nga Brigada Al-Quds thuhet se janë goditur me mortaja ushtarët e armikut përreth spitalit Al-Amal në Khan Younis, në rajonin Al-Arayishiyye si dhe në zonën Sheikh Ijlin në perëndim të qytetit të Gazës.

Më tej bëhet e ditur se vendbanimi Netivot dhe rrethinat e tij në jug të Izraelit, qytetet Askalan (Ashkelon) dhe Sderot si dhe vendbanimet në kufirin e Gazës u goditën me raketa ndërsa vendbanimi Kfar Aza u godit me mortaja.

Sulmet në fjalë thuhet se janë përgjigje e dhënë ndaj krimeve që Izraeli ka kryer kundër popullit palestinez.

Ndërsa në deklaratën e Brigadave Kassam thuhet se në Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Gazës një tank i tipit Merkava që i përkiste ushtrisë izraelite u shënjestrua me raketën Yasin-105.