Në këto ditë me shumë dëborë në vendin tonë, ku mjediset sportive dimërore janë të mbuluara nga dhe mirëmbajtja e tyre kërkon më shumë impenjim, siç është e vetmja pistë skish ajo e Dardhës, po kështu dhe rrugëkalimi drejt saj mbetet i bllokuar dhe i rrezikshëm, e vetmja mundësi serioze për tu argëtuar mbetet Brezovica ose Bredhoni, emri shqip i saj nga fjala “bredh”, (vend i pyllëzuar me bredh). Brezovica është qendër kosovare e turizmit dimëror dhe veror në Malet e Sharrit.
E mirëmbajtur dhe e kompletuar me mjetet sportive dhe shërbim profesional sportive, këto ditë të bardha po frekuentohet nga mjaftë vizitorë të Shqipërisë.
Në periudhën e dimrit, pistat e atjeshme, janë më të populluara se kurrë. Vizitorë jo vetëm nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe nga vende të tjera vijnë e kalojnë fundjavën.
Fushat e skive gjenden 12 km larg fshatit me të njëjtin emër në komunën e Shtërpcës.
Veç peizazhit të bukur natyror, akomodimit dhe shërbimit mjeshtëror, më të interesuarit janë amatorët e skive.
“Është e vështirë të skijosh për herë të parë, por aty ka dhe instruktorë të posaçëm që vihen në dispozicion të skiatorëve të rinj. Mësuesit e skive, bëjnë një punë pasionante për t’u mësuar rrëshqitjen në borë të rinjve dhe fëmijëve të cilët kalojnë fundjavën në këtë pikë turistike” thonë drejtuesit e guidës turistike My Albania “Nature Explorer” shoqëri guidash turistike/ATSH.