Brexit: Arrihet marrëveshja tregtare midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian (BE) në prag të Krishtlindjeve kanë arritur një marrëveshje tregtare për periudhën pas Brexit-it, pas pesë viteve negociata dhe vetëm një javë para se të përfundojë periudha e tranzicionit më 31 dhjetor, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Marrëveshja është arritur. Në këtë marrëveshje jepet gjithçka që publikut britanik iu premtua gjatë referendumit të vitit 2016 dhe gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar. Ne kemi marrë përsëri kontrollin e parave tona, kufijve, ligjeve, tregtisë dhe ujërave tona të peshkimit”, tha qeveria britanike në një njoftim.

Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë për media përshëndeti marrëveshjen, duke e quajtur atë një “marrëveshje të ekuilibruar” për të dy palët.

“Ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por ne kemi arritur një marrëveshje të mirë. Është e ndarë… është një marrëveshje e ekuilibruar. Është gjëja e duhur dhe e përgjegjshme për të dy palët”, tha von der Leyen.

Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja të dyja pretendojnë fitore

Mbretëria e Bashkuar ishte e etur për të reklamuar përfitimet nga Brexit-i, me qeverinë britanike e cila përmes një njoftimi me shkrim tha se marrëveshja është një “lajm fantastik” për familjet dhe bizneset në çdo pjesë të Mbretërisë së Bashkuar.

“Ne kemi nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë të bazuar në zero tarifa dhe zero kuota, marrëveshje e parë e nënshkruar ndonjëherë me BE-në. Kjo është marrëveshja më e madhe dypalëshe tregtare e nënshkruar nga palët, që mbulon tregtinë në vlerë prej 668 miliardë paundë në vitin 2019”, tha qeveria britanike.

Sipas qeverisë britanike, marrëveshja po ashtu garanton se Mbretëria e Bashkuar nuk është e detyruar ndaj rregullave të BE-së, nuk ka asnjë rol për Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe janë arritur të gjitha “linjat e kuqe kyçe” për kthimin e sovranitetit.

“Një sistem imigracioni i bazuar në pika do të na vendos në kontroll të plotë se kush hyn në Mbretërinë e Bashkuar dhe lëvizja e lirë do të marrë fund. Ne kemi dorëzuar këtë marrëveshje të madhe për të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në një kohë rekord dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira, marrëveshje që mbron integritetin e tregut tonë të brendshëm dhe vendin e Irlandës së Veriut brenda tij”, tha qeveria britanike.

Më tej, qeveria e vendit theksoi se kanë arritur një Brexit dhe tani mund të shfrytëzojnë plotësishtë “mundësitë fantastike të disponueshme si një komb i pavarur tregtar duke arritur marrëveshje tregtare me partnerë të tjerë në botë”.

Ndërkaq, von der Leyen theksoi se BE-ja do të vazhdojë të punojë me Mbretërinë e Bashkuar, por se BE-ja tani do të ecë përpara nga Brexit-i.

“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Mbretërinë e Bashkuar në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Për shembull, në fushën e ndryshimeve klimatike, sigurisë së energjisë dhe në fushën e transportit. Së bashku ne do të arrijmë më shumë sesa arrijmë të ndarë. Dhe së treti, ne kemi siguruar pesë vjet e gjysëm parashikueshmëri të plotë, për komunitetet e peshkimit, si dhe mjete të forta për të stimuluar që të qëndrojnë të tillë”, tha von der Leyen.

“Mbretëria e Bashkuar është një vend i tretë, por mbetet një partner i besuar. Ne jemi aleatë të gjatë. Ne ndajmë të njëjtat vlera dhe interesa, qoftë në Samitin COP 26 në Glasgow apo në presidencat e ardhshme G7 të Mbretërisë së Bashkuar dhe G20 të Italisë, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojnë krah për krah për të përmbushur qëllimet tona të përbashkëta globale”, shtoi ajo.

Negociatat e gjata midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së

Britania votoi për t’u larguar nga BE-ja në një referendum të vitit 2016, respektivisht me 52 për qind të votave në favor dhe 48 për qind kundër. Vendi u largua zyrtarisht nga BE-ja në fund të janarit të këtij viti.

Që nga ajo kohë, Mbretëria e Bashkuar ka qenë në një periudhë tranzicioni, që do të thotë se vendi vazhdoi të ndjekë rregullat e BE-së përderisa punonte për një marrëveshje të re tregtare me partnerin e saj më të madh tregtar dhe tregun më të madh në botë.

Negociatat gjatë vitit të kaluar kanë qenë të ashpra, me mosmarrëveshje të përqendruar në tre çështje kryesore, respektivisht në fushën e peshkimit që është ekonomikisht e parëndësishme në simbolikën politike, pastaj në të ashtuquajturën fushë loje të barabartë ku BE dëshironte të mbrojë integritetin e tregut të vetëm dhe ishte kundër konkurrencës së pandershme që siguronte që Mbretëria e Bashkuar të mos përdor subvencione të tepërta shtetërore ose të prerë në standardet e saj rregullatore përderisa kishte akoma tarifa dhe qasje pa kuota, si dhe e fundit çështja e qeverisjes që kishte të bëjë me mënyrën se si do të zbatohet marrëveshja.

Në një skenar pa marrëveshje mbi Brexit-in, Mbretëria e Bashkuar nga 1 janari i vitit 2021 do të kishte tregtuar me BE-në në kushtet e Organizatës Botërore për Tregti (WTO). Britania këmbënguli se do të përparonte në këtë skenar, por ekspertët theksonin se tarifa të mëdha do të vendoseshin mbi eksportet britanike në BE.

Ky skenar tani është shmangur. Mbretërisë së Bashkuar i janë dashur katër vjet e gjysmë, dy zgjedhje dhe tre kryeministrja për të arritur në këtë pikë.

Ratifikimi i marrëveshjes

Tani teksti duhet të ratifikohet nga të dyja palët, një rregull i gjatë duke marrë parasysh sesa vonë është arritur marrëveshja.

Nga pala britanike, parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar në Westminster do të duhet të ratifikojë marrëveshjen, por ai tashmë është shpërndarë për Krishtlindje.

Media lokale raporton se parlamenti mund të thirret më 30 dhjetor për të përfunduar marrëveshjen.

Qeveria pro-Brexit ka një shumicë prej 80 votash, por disa do të vazhdojnë të mbajnë këmbët e qeverisë në zjarr nëse ata ndjenjë se Londra i ka dhënë shumë sovranitet Brukselit.

Partia laburiste humbi bazën e saj tradicionale të klasës punëtore për shkak të refuzimit të saj për të mbështetur plotësisht Brexit-in, por të rinjtë që formojnë pjesën më të madhe të anëtarësimit të partisë janë me vendosmëri kundër Brexit-it. Lidershipi i partisë pritet të mbështesë marrëveshjen, megjithëse ka hapësirë për rebelim edhe në prapavijat e saj.

Nga ana e BE-së nuk do të ketë kohë të mjaftueshme që Parlamenti Evropian ta ratifikojë marrëveshjen, kështu që vendet anëtare do të duhet të miratojnë zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes derisa të ratifikohet zyrtarisht.