Rezidenca e vjetër e Mbretëreshës dhe Princit Filip në Maltë do të restaurohet dhe do të kthehet në një muze për të nderuar kohën e tyre atje.
E ndodhur në periferi të kryeqytetit të ishullit mesdhetar, Valletta, Villa Guardamangia ka qenë e banuar nga çifti mbretëror, ku besohet se kanë kaluar periudhën më të bukur dhe të lumtur të jetës së tyre.
Si pjesë e restaurimit të saj si një atraksion turistik, vila me gurë gëlqerorë e shekullit të XVIII do të shfaqë në katin e parë marrëdhëniet e Maltës me Britaninë nga e cila fitoi pavarësinë në 1964.
Çifti është vendosur në këtë vilë në vitin 1949 deri në 1951, ku Filipi po shërbente në HMS Checkers me Flotën Mesdhetare. Restaurimi pritet të zgjasë të paktën pesë vjet, raporton Mirror.
Heritage Malta e cila është agjencia kombëtare e vendit për muzetë, praktikën e ruajtjes dhe trashëgiminë kulturore, është ngarkuar me punën. Pasi bleu ndërtesën e shekullit të XVIII në Qershor të vitit të kaluar, Heritage Malta tani është në fazat paraprake të rikthimit të saj në lavdinë e dikurshme.
Shefi operativ i Heritage Malta, Kenneth Gambin, tha se kishte një ndjenjë trishtimi në ishull pas vdekjes së Filipit.
Ai u kujtua me dashuri, sepse të gjithë e dinin se Malta kishte një vend të veçantë në zemrën e tij. Njerëzit mbeten disi të lidhur me të sepse e dinë që ai e kujtonte Maltën me dashuri. Ai e shfrytëzoi çdo mundësi për të ardhur këtu përsëri kur mundi”, është shprehur ai.
Qëndrimi i tyre në Maltë i mundësoi atyre të shijonin jetën si një çift i zakonshëm para ngjitjes së Mbretëreshës në fron.
Ata kishin lirinë për të shijuar ahengje, piknike dhe ekspedita me anije, madje princesha ishte në gjendje të shkonte në parukeri për herë të parë.