Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri, në Televizonin Publik ka folur për kalimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ai ka thënë se ligji hyn në fuqi në momentin e dekretimit nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.
“I kemi marrë të gjitha masat për këtë ligj që krijon përfitime të mëdha jo vetëm për sektorin rivat, por edhe për individit. Për vitin 2020 janë planifikuar 365 milionë euro që të dislokohen tek sektori privat. Ka kompensime që lidhen me ekonomi, bujqësi, grante për gratë”, ka thënë Tahiri.
Ai tutje ka thënë se janë direkt 280 milionë euro që do të shpërndahen në kompanitë private, tek kompanitë e vogla.
“Në vitin 2021 janë planifikuar 600 milionë euro t’i dislokojmë në sektorin privat”, ka thënë Tahiri.
Duke folur për votat e PDK-së që ky ligj të kalojë, duke e quajtur reflektim edhe të qeverisë në raport me kërkesat e kësaj partie opozitare.
“Është reflektim edhe i yni si qeveri edhe i PDK-së. Ky ligj ka mundur të kalojë para pesë muajve, siç ndodhi sot. Këto Amandamente të PDK-së e kanë fuqizuar ligjin. Është e shëndetshme për demokracinë që kur është në interes të qytetarëve të bëhemi bashkë”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, Kuvendi ishte i dmmtuar me numrin e madh të deputetëve me COVID.
“Ne i kemi pasur 64 vota, por pandemia na dëmtoi dhe nuk mund ta votonim. Po mos të ishte COVID-i ligji do të kalonte shumë më herët”, ka thënë zëvendëskryeministri.
Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që qytetarët të kenë qasje në llogaritë e tyre në Trustin Pensional të Kosovës.
“Pas kalimit të Ligjit për Rimëkëmbje sot në Kuvend, është hapur rruga që qytetarët t’i tërheqin mjetet e tyre nga Trusti Pensional”, ka thënë Tahiri në “Imazh” të RTK-së.
I pyetur se sa do të zgjasë tash procedura e hyrjes së Ligjit në fuqi dhe kohës së kur qytetarët mund t’i tërheqin paratë nga Trusti, Tahiri ka thënë se fillimisht pritet dekretetimi i Ligjit nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe publikimi në fletoren zyrtare, e më pas menjëherë fillon tërheqja.
“Kjo do të ndodh sivjet, pra qytetarët sivjet mund t’i tërheqin mjetet e tyre. Unë e kam takuar edhe drejtorin e Trustit, Ardian Zallin dhe ata i kanë bërë përgatitjet e nevojshme që tërheqja të fillojë menjëherë pas dekretimit të ligjit. Qytetarët do të kenë qasje në një portal të Trustit, ku do të japin të dhënat e tyre personale si numri i letërnjoftimit dhe xhillogaria bankare dhe paratë ju dalin në bankë”, ka thënë Tahiri.