Brenda disa dite fillon verifikimi i votave të diasporës, numërimi i tyre kryhet për dy ditë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur se ende nuk ka ndonjë datë për fillimin e numërimit të votave të diasporës dhe atyre me kusht.

Elezi në një konferencë për media tha se verifikimi dhe shqyrtimi i votave nga diaspora pritet të nisë brenda disa ditësh, ndërsa më pas edhe numërimi i tyre proces ky që pastaj përfundon për dy ditë.

“Ndonjë datë nuk kemi për fillimin e numërimit të votave të diasporës dhe me kushte. Gjatë periudhës së votimit KQZ përmes postës ka pranuar rreth 43,500 pako të supozuar me fletvotime nga jashtë vendit”, tha Elezi.

Ai më tej tha se sipas procedurave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve besojnë që brenda disa ditësh fillon verifikimi dhe shqyrtimi i votave të diasporës dhe pastaj në momentin kur fillon numërimi i tyre fillon edhe hapja e zarfeve. Pas këtij procesi dihet saktë numri i fletëvotimeve nga jashtë vendit.

“Numërimi i tyre bëhet shpejt, brenda një ose dy ditë dhe rezultati i tyre i bashkohet rezultatit të vendvotimeve”, tha Eezi më tej.