Në qytetin Eriha në Bregun Perëndimor të pushtuar, një rrugë ka marrë emrin e ushtarit amerikan Aaron Bushnell, i cili i vuri flakën vetes dhe humbi jetën duke thënë se nuk do të ishte palë në veprimet e Izraelit në Gaza, raporton Anadolu.
Kryetari i Bashkisë së Eriha-s, Abdul Karim Sidr, në fjalën e tij në ceremoninë e mbajtur dje për hapjen e tabelës së rrugës, tha se 25-vjeçari Bushnell sakrifikoi gjithçka për Palestinën.
“Ne atë nuk e njihnim, as ai neve nuk na njihte. Nuk kishte asnjë lidhje sociale, ekonomike, politike midis nesh. Ajo që ne ndajmë është një dashuri për lirinë dhe një dëshirë për të qëndruar kundër këtyre sulmeve”, tha Sidr.
Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Eriha-s, Amani Rayan tha se Bushnell sakrifikoi gjënë e tij më të vlefshme për Gazën dhe dhuroi të gjitha kursimet e tij për fëmijët palestinezë.
– Aaron Bushnell i vuri flakën vetes
“Unë nuk do të marr më pjesë në krimin e gjenocidit”, tha 25-vjeçari Bushnell, i cili ishte në detyrë aktive në Forcat Ajrore të SHBA-së, kur dogji veten me karburant para ambasadës izraelite në Washington më 24 shkurt.
Bushnell, i veshur me uniformën e tij ushtarake brohoriti “Liri për Palestinën” derisa mbeti pa frymë.
Një nga policët e ambasadës i drejtoi armën Bushnell-it, i cili ishte përfshirë nga flakët dhe priti ndërsa polici tjetër tha: “Ne kemi nevojë për një zjarrfikës, jo për armë”.
Departamenti i Policisë Metropolitane tha se 25-vjeçari Bushnell ndërroi jetë pasi i vuri flakën vetes.