Brazili e ka regjistruar edhe fitoren e dytë në Grupin G duke e mposhtur Zvicrën me rezultat 1-0 në raundin e dytë të fazës grupore në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Stadium 974 në Doha.
Të dyja skuadrat ishin mjaft të kujdesshme në fraksionin e parë të lojës, në veçanti Helvetikët, të cilët nuk dëshironin të pranojnë gol.
Vinicius Junior pati ndër rastet më të mira në 45 minutat e parë, por intervenimi i Yann Sommer ishte vendimtar.
Rrjetat mbetën të paprekura kur gjyqtari dha shenjë që ekipet të shkonin në pushim, ndërsa një lojë më dinamike u aplikua në gjysmën e dytë.
Një pasim i mençur i Casemiros në këmbët e Vinicius, i mundësoi sulmuesit të Real Madridit të bënte një lëvizje të bukur dhe ta dërgonte topin në rrjetë (64’).
Megjithatë, pas konsultimit të VAR-it, goli u anulua për pozitë jashtë loje gjatë ndërtimit të aksionit.
Përpjekjet e Selecaos për të realizuar u kompletuan me golin e avantazhit (83’). Rodrygo asistoi te Casemiro dhe mesfushori i Manchester Unitedit realizoi gol të bukur.
Pas kësaj fitoreje, Brazili ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve dhe tashmë është kualifikuar në 1/8 e finales në Kampionatin Botëror. Zvicra do ta kërkojë kualifikimin në raundin e fundit, në të cilin duhet ta nënshtrojë Serbinë.