- Shkruan: Ismail SINANI
Shkenca nuk njeh ndonjë rregull të prerë se cila është koha e duhur për të shkruar për një personalitet, për jetën e tij, për historinë e tij, por megjithatë thuajse të gjithë janë unanimë se më e mira t’mirës është që të shkruhet të paktën pasi të kenë kaluar 50 vjet që nga vdekja e tij. Vetëm atëherë mund të analizohet në plotni dhe pa emocione figura e një personaliteti të caktuar dhe të analizohet konteksti historik. Pasi të kalojë gjysmëshekulli, hapen edhe arkivat dhe më qartë shihen të bëmat ose, thënë më saktë, hapen dosjet prej nga ndriçohen qartë vendimet e marra rreth një ngjarjeje, e me këtë ndërtohet personaliteti i vërtetë i subjektit të hulumtuar. Bashkë me distancën kohore, zhbëhen edhe mitet dhe emocionet, të cilat asnjëherë nuk lejojnë krijimin e pasqyrës së saktë.
Revista “Shenja” kësaj radhe ka vendosur ta trajtojë figurën e Presidentit Ibrahim Rugova. Themi Presidentit, pasi ndonëse kanë kaluar 19 vjet nga largimi i tij në amshim, as kundërshtarët e tij më të rreptë nuk ia lejojnë vetes ta përdorin parashtresën “ish”, siç përdoret rëndom për figurat politike pasi ta braktisin postin ose pasi të ndërrojnë jetë.
Megjithatë, kur vendosëm ta trajtojmë këtë figurë, kemi qenë të vetëdijshëm se distanca kohore, që është pak më pak se dy dekada, nuk është e mjaftueshme për t’i bërë profil historik kësaj figure gjithsesi historike. Kemi qenë të vetëdijshëm se, menjëherë pas vdekjes, historitë e shkuara në të shumtën e rasteve u ngjajnë homazheve. Por, pavarësisht kësaj, ndoshta në nënvetëdije, ne si revistë jemi përpjekur të lëmë gjurmë të dokumentuara për ata që pas 50 e ndoshta më shumë viteve do të merren me analizën e profilit të Rugovës.
Po kështu jemi të vetëdijshëm se bashkëkohësit e tij, sado që figura me profil të lartë intelektual dhe akademik, e në këtë numër kemi shumë nga bashkëveprimtarët e tij, janë njerëz me emocione dhe me kujtime edhe shumë prekëse, pasi që kanë kaluar nëpër golgotën më të madhe të historisë së kombit tonë në këto 100 vjetët e fundit. E duke qenë se i kanë parë “t’zitë e ullirit”, është krejt e natyrshme që në momente ta kenë përdorur edhe sentimentin njerëzor. Por, në këtë rrafsh, ne kemi arritur ta shohim edhe më nga afër figurën e Presidentit, pasi që të gjithë këta autorë kanë qenë “krahët e Rugovës”, pa ndihmën e të cilëve ai nuk do të kishte mundur asnjëherë ta arrinte gradën që sot, post mortum, e gëzon.
S’do mend se në gjithë këtë angazhim duhet veçuar kontributin e profesor Milazim Krasniqit, i cili duke qenë një mik shumë i ngushtë i Presidentit Rugova, na ndihmoi që ky numër të dalë kaq i kompletuar përmes shkrimeve të shumë autorëve – bashkëveprimtarë të “numrit një” të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Presidenti Rugova është analizuar si arkitekti i paqes në një kohë kur Ballkani, më saktë ish Jugosllavia, po dergjej në gjakun e nacionalizmit të Sllobodan Millosheviqit.
Është trajtuar ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, e cila deri në atë kohë, përpos për ca shërbime inteligjente perëndimore dhe tek-tuk ndonjë historian, ishte krejtësisht e panjohur për opinionin botëror, e posaçërisht perëndimor.
Është vënë në pah edhe dimensioni i tij intelektual, që bënte dallimin më të madh nga bashkëkohësit e tij në ish Jugosllavi, edhe pse duhet pranuar se, për nga “egzegjeza intelektuale”, nuk qëndronte aspak mbrapa as lideri i boshnjakëve, Alija Izetbegoviq, por ai me një sfond krejt tjetër.
Duke qenë “intelektual i regjur”, nuk janë të paktë edhe ata që Rugovën e kanë quajtur “rilindës i shekullit të 20-të”, si vazhdimësi i atyre të fundshekullit të 19-të.
Pa dyshim që vend të posaçëm ka zënë edhe vizioni i tij. Në fakt, ka shumë debate se si një “kritik letrar” arriti ta nuhasë gjeopolitikën deri në atë shkallë, sa t’i vendosë shinat e veprimit në trajektoren e duhur të kohës, për të mos e lënë Kosovën në lavjerrësin gjeopolitik.
S’do mend se qasja e tij “durimtare”, si në kohë të tij edhe sot, paraqet një paradigmë të debatueshme. Nuk janë të paktë ata që e kritikojnë, por nuk janë të paktë edhe ata që e mbështesin këtë qëndrim të tij konstant, pasi që edhe në bazë të intervistave edhe në bazë të deklarimeve të tij të vazhdueshme, ai është paraqitur si një humanist që ka dashur ta ruajë popullin e vet.
Ky debat merr vrull edhe më tepër pas daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u bë katalizatori kryesor për largimin e Serbisë nga Kosova, gjithsesi duke e paguar çlirimin me mijëra dëshmorë, me rreth një milion të zhvendosur e me mijëra gra të përdhunuara… Ndaj, kur tërhiqet paralelja mes politikës pacifiste te Rugovës dhe veprimit ushtarak të UÇK-së, si argument kryesor përdoret edhe kryesimi i delegacionit të Rambujesë, i cili në atë kohë, nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Medllin Ollbrajt, iu besua djalit të ri, 28 vjeç, Hashim Thaçit.
Por, si çdo argument, edhe ky e ka kundërargumentin e tij. Pas luftës, dhe shumë herë më pas, derisa ishte gjallë Rugova, LDK-ja fitonte me një lehtësi të madhe në çdo cikël zgjedhor.
Sot, kur edhe pak po mbushen dy dekada nga vdekja e tij dhe 36 vjet pas formimit të LDK-së, Rugova ende është në qendër të debatit. Nuk dihet nëse ky debat zhvillohet për shkak të mitit rreth tij, vizionit të tij, nevojës (gjeo)politike apo vërtet, siç thoshin në të gjallë të tij, “Brahimi ka ditë diçka”.
(Editoriali i revistës “Shenja”)