BQK: Ekonomia kosovare pëson rënien më të madhe në 20 vjetët e fundit, 7.2 për qind

Mbi 70 mijë persona kanë hyrë në territorin e Kosovës, nga kufijtë tokësorë dhe ajrorë.

Ekonomia e Kosovës pritet që të ketë një rënie ekonomike prej 7.2 për qind që paraqet goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia e vendit në 20 vitet e fundit, tha Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë një konference për media.

Ekonomia e Kosovës pritet që të ketë një rënie ekonomike prej 7.2 për qind, që paraqet rënien më të madhe në 20 vjetët e fundit. Kështu ka bërë të ditur guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë konferencës së fundvitit.

Kjo rënie ekonomike sipas tij ka ardhur si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe masave për mbylljen e kufijve dhe bizneseve.

“Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 pritet të shënojë një rënie prej 7.2 për qind, e cila paraqet goditjen më të rëndë që ka pasur ekonomia e vendit në këto 20 vjet. Kufizimi i funksionimit të aktiviteteve ekonomike ka ndikuar negativisht në të ardhurat për qytetarët, duke ndikuar kështu negativisht edhe në nivelin e konsumit të brendshëm”, tha ai.

Guvernatori Mehmeti tha se remitencat nga diaspora në këtë kohë të vështirë pandemike vazhduan rrjedhën e saj, ku deri në tetor 2020 kanë shënuar 796.5 milionë euro, me një rritje vjetore 12.9 për qind.

“Një faktor që ka ndikuar në zbutjen e efekteve të krizës kanë qenë remitencat nga diaspora, të cilat në këtë kohë shumë të vështirë për ekonominë botërore vazhduan rrjedhën e vazhdueshme drejt ekonomisë tonë. Vlera e remitencave të pranuara deri në tetor 2020 ishte 796.5 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 12.9 për qind”, tha Mehmeti.

Sa i përket arbitrazhit me “Iute Credit”, guvernatori tha se veprimet do të jenë në bazë të legjislacionit në fuqi dhe presin të fitojnë rastin në arbitrazh.

“Ne konsiderojmë se jemi në harmoni të plotë me legjislacionin fuqi dhe kjo është një arsye që na bënë neve me u ndier shumë të sigurt në këtë çështje, që ky rast do të fitohet nga Kosova në arbitrazhin ndërkombëtar. Me këtë çështje është duke u marrë Ministria e Drejtësisë dhe jemi në pritje që kjo ministri të përzgjedh kompaninë e cila do të na përfaqësojë në arbitrazh. Sa i përket argumenteve dhe fakteve, jemi të sigurt 100 për qind se ky do të jetë një vendim pozitiv ose në favor të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Guvernatori Mehmeti tha se sektori bankar në këtë vit ka pasur rol kyç në procesin e rimëkëmbjes ekonomike, derisa sipas tij ky sektor vazhdon të jetë i qëndrueshëm.

Ndërsa, në sektorin e sigurimeve, deri në shator u regjistrua një rënie e lehtë, ku primet e shkruara bruto shënuan 72.3 euro që kishin një rënie prej 2.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Mehmeti në konferencën e fundit për media për këtë vit ka folur edhe treguesit tjetër makroekonomi, që sipas tij, zvogëlimi kërkesës së brendshme në Kosovë gjatë këtij viti u reflektua me një vlerë të vogël të importit të mallrave, i cili deri në tetor 2020 shënoi vlerën 2.63 miliardë euro apo me një rënie vjetore prej 8 për qind.

Në anën tjetër eksporti i mallrave shënoi vlerën prej 382.4 milionë euro duke shënuar një rritje vjetore prej 19.1 për qind.

Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve deficiti tregtar në llogarinë e mallrave gjatë kësaj periudhë regjistroi vlerën prej 2.26 miliardë eurosh që paraqet një rënie vjetore prej 11.4 për qind.

Sa i përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre deri në shtator 2020 arriti në 250.6 milionë euro në krahasim me 216.4 sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Për sa i përket investimeve te patundshmëria ka një rënie nga 135 milionë në këtë vit krahasuar me 176.2 milionë euro në vitin paraprak.