Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, që ma mundësoi botimin e pesë librave që përmbajnë komentimin e pesë sureve (kaptinave) të Kuranit famëlartë:
REFLEKTIME KURANORE
SUREJA ERR RRAD, SUREJA IBRAHIM, SUREJA EL HIXHËR, SUREJA SEBEE DHE SUREJA FATIR.
Përmbledhje e shkurtër e tyre:
Librat janë në formatin A-5, dhe janë të përmbledhura mesatarisht me nga 282 faqe, në gjithsej 1410 faqe. Përgjatë komentimit të tyre kemi përdorur si literaturë të shfrytëzuar mesatarisht 105 referenca shkencore, nga të cilat mbi 90 janë komentime të Kuranit (tefsire). Ato përfshijnë etapat islame që nga koha e sahabëve, r.a. (shokëve të Muhamedit, a.s.), e deri te ato bashkëkohore, dhe që të gjitha i përkasin vijës së mirëfilltë dhe të duhur të Ehli Sunetit, qofshin ato tradicionale, racionale, bashkëkohore, shkencore etj.
Mesatarja e përdorimit të referencave shkencore (fusnotave) në secilin vëllim është rreth 628, si metodë e domosdoshme për ta transmetuar dhe ruajtur mirëfilli zinxhirin e komentimit të Kuranit përgjatë brezave.
Përgjatë punës sonë, që e konsiderojmë një pikë uji në oqeanin e gjërë të sferës së komentimit dhe shpjegimit të Kuranit, jemi munduar të bëjmë analiza, komente, këndvështrime, përafrim dhe unifikim qëndrimesh dhe mesazhesh të ndryshme.
Të vetëdijshëm se vepër të përkryer njerëzore nuk ka, jemi munduar ta bëjmë më të mirën brenda mundësive tona. Prandaj, mirëpresim çdo sugjerim të sinqertë dhe vërejtje konstruktive.
Me këtë rast, i falënderoj të gjithë dashamirët e shumtë, të cilët qoftë në aspektin moral, që për mua është motiv i pazëvendësueshëm, apo edhe në aspekt bamirësie, dhanë kontributin e tyre që këto vëllime të marrin formën e kërkuar dhe ta shohin dritën e botimit!
Falënderoj për punën dhe angazhimin e tyre të çmuar veçanërisht recensentin e librave – studiuesin e shkencave të Tefsirit, Jakup ef. Çunakun, redaktorin gjuhësor z. Besnik Jahën, si dhe redaktorin teknik z. Bashkim Mehanin! Gjithashtu e falënderoj për bashkëpunimin e mirëfilltë Shtëpinë botuese “A Publishing”, respektivisht z. Abdullah Huruglicën!
Po ashtu i falënderoj edhe të gjithë mësuesit e mi, që nga shkolla fillore, në Bardh të Madh të Fushë Kosovës, pastaj nga Medreseja “Alauddin” në Prishtinë, si dhe nga Universiteti i El Az’harit në Kajro- Egjipt!
Veçanërisht dua t’i falënderoj ata që më sollën në këtë jetë dhe më edukuan të arrij deri këtu, e të cilëve edhe ua kam kushtuar këtë vepër, prindërit e mi të dashur, të cilët përgjatë gjithë jetës dhanë çdo gjë që patën, në të gjitha aspektet, për edukimin dhe shkollimin tim; edhe motrat dhe vëllezërit e mi, të cilët më mbështetën në vazhdimësi dhe pa asnjë rezervë, dhe u bënë pjesë e pandashme e këtij rrugëtimi të shenjtë; si dhe bashkëshorten time dhe fëmijët, motivimi dhe përkrahja e të cilëve më ndihmon shumë në realizimin e ambicieve të dëshiruara.
Le të jetë kjo vepër në shërbim të të gjithë dashamirëve të fjalës së shkruar, popullit dhe vatanit tonë të shtrenjtë, myslimanëve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin dije!
Zoti i botëve, Allahu i Lartë, qoftë i kënaqur dhe e pranoftë këtë vepër prej nesh! (Amin!)
Projekti vazhdon… (Inshallah – Me lejen dhe ndihmën e Zotit të Madhëruar),
Zoti ynë, na mundëso, amin!
Nga: Prof. Adnan Simnica