Bota po ndryshon – shqiptarët gjithashtu

Xhelal Neziri

Çfarëdo që të ndodhë në skenën globale, shqiptarët etnikë në Ballkan për herë të parë janë më të përgatitur, më syçelë, më të ditur, më proaktivë dhe me një instikt edhe më të fuqishëm mbijetese. Kjo nuk ishte realitet në katër fazat e mëhershme, kur bota pësoi transformime rrënjësore.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Rikthimi i Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë në Uashington hapi shumë dilema dhe shkaktoi shumë paqartësi. Çfarë rendi botëror dëshiron – atë aktual të bazuar në rregulla, apo një rend të bazuar në fuqi? I pari është vendosur që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (me rregullat e mosndryshimit të kufijve dhe respektimit të sovranitetit të të gjitha shteteve), kurse i dyti ka kohë që kërkohet nga Rusia dhe Kina (me rregullin e vetëm – shteti i fuqishëm bën atë që duhet bërë, i dobëti vuan atë që duhet vuajtur). Rendi aktual shkon më shumë në favor të shteteve ose popujve të vegjël, kurse rendi që ofrohet është dëshirë e shteteve ose popujve të mëdhenj.

Përshtatja si instinkt mbijetese

Shqiptarët, si popull i shtrirë në 5 shtete në Ballkan, megjithatë bien në kategorinë e popujve të vegjël. Historikisht, kanë arritur të mbijetojnë falë përshtatshmërisë së rrethanave të krijuara nga perandoritë – nga ajo romake e deri te ajo osmane. Në ato sisteme shqiptarët nuk kanë qenë rebelët, kryengritësit ose  shkatërrimtarët, por, përkundrazi, pjesë e zgjerimit dhe drejtimit të perandorive. Në një situatë përafërsisht të njëjtë kanë qenë edhe në Luftën e Dytë Botërore, kur Italia fashiste gati pa rezistencë i pushtoi trojet ku jetonin shqiptarët etnikë, edhe pas asaj lufte – në Shqipërinë ose ish-Jugosllavinë komuniste. Pas valës së demokratizimit të shkaktuar nga rënia e komunizmit në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar dhe krijimit të një bote unipolare në krye me SHBA-të, shqiptarët u rreshtuan fuqishëm me perandorinë e re. Shqiptarët kanë mbijetuar falë instinktit të fuqishëm të njohjes së fuqisë së tyre dhe fuqisë së tjetrit. Duke i njohur këto rrethana, ata janë përshtatur, në vend që të luftojnë deri në zhdukje. Në rrethanat e reja ata e kanë riqartësuar vizionin e tyre, i kanë ripërcaktuar interesat dhe i kanë rivendosur vlerat.

Në këtë tërmet të gjeopolitikës botërore, të shkaktuar pas aneksimit të Krimesë nga Federata Ruse në vitin 2014 dhe pas pushtimit të pjesës lindore të Ukrainës në vitin 2022, është legjitime të hapen temat se si do të veprojnë shqiptarët. Po ashtu është legjitime të hapen dilemat për vizionin e Trump-it si president i shtetit më të fuqishëm në botë dhe për vlerat, parimet dhe interesat që SHBA-ja do të promovojë në periudhën që vjen. Është i pritshëm edhe ankthi nga epilogu i luftës në Ukrainë, i cili pa dyshim se do të reflektohet edhe në kontestet e tjera në botë, por edhe në Ballkan.

A po lind rendi i ri botëror?

Një botë e re lind përherë pas një lufte botërore. Sot mbase pa ia vënë emrin ne po kalojmë nëpër Luftën e Tretë Botërore. Lufta në Afganistan në vitin 2001, në Irak në vitin 2005, Pranvera Arabe e vitit 2011, lufta e përgjakshme në Siri dhe Irak, lufta brutale në Ukrainë, në Izrael dhe në Gazë mbase shënojnë ndonjë fazë të kësaj lufte botërore, që si duket po zgjat më shumë sesa dy luftërat e para – të cilat përfunduan për katër vite. Ajo që nuk e dimë është se në cilën fazë të Luftës së Tretë Botërore jemi, ndërkohë që po shpresojmë se jemi në fundin e saj. E tani, a do të prodhojë një botë të re me rend krejtësisht të ri riafrimi i Trump-it me presidentin rus Vlladimir Putin, pas një ngrirje të tërësishme të marrëdhënieve që nga viti 2022? Personalisht nuk besoj se Trump-i do të ndryshojë një rend botëror, nga i cili përfitues më i madh ka qenë SHBA-ja. Çdokush e ka të qartë se Putini e kërkon një rend të ri botëror, pasi rendi aktual i bazuar në rregulla u dëshmua se nuk është në favor të tij. Rusia sot është shteti me gjeografi më të madhe në botë, për shkak të mendësisë perandorake, të rrënjosur në psikologjinë kolektive të rusëve ndër shekuj. Andaj, edhe doktrina ruse “zgjerim territori në të gjitha anët, në çdo kohë” mbetet e pandryshuar, pa marrë parasysh ndryshimet e brendshme të sistemeve dhe udhëheqësve. Atë që e dëshiron Trump-i është që të rivendosë një qasje krejtësisht realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare, por pa ndryshuar rregullat. Kjo qasje realiste ndryshon nga ajo liberaliste e ish-presidentit Joe Biden, me atë se e vë në radhë të parë interesin shtetëror. Pra, për Trump-in “Amerika e para” është doktrinë e një realizmi pragmatik, që nuk mban aq shumë llogari për vlerat dhe parimet sesa për interesat amerikane. Ky vizion nënkupton një qasje edhe nga shtetet e tjera të fuqishme, të cilat po ashtu do të vënë si prioritet interesat e tyre shtetërore dhe në këtë zinxhir marrëdhëniesh të gjendet një hallkë që do t’i lidhë interesat e përbashkëta të shteteve. Kjo shkollë vë në pah rolin e shteteve dhe e dobëson atë të organizatave ndërkombëtare dhe unioneve. Në sytë e Trump-it realist, OKB-ja nuk është vend ku mund të zgjidhet ndonjë luftë në botë, OBSH-ja është shpenzim kot i parave, kurse NATO është një koalicion shtetesh ku çdo anëtar duhet të paguajë nëse dëshiron të mbrohet. Ai nuk e sheh Bashkimin Europian (BE) si partner, por si një union në konsolidim që mund të jetë konkurrent i SHBA-së në gjeopolitikën e botës. Takimi i Trump-it me Putinin mund t’i ridefinojë zonat e ndikimit, të cilat u përcaktuan në Jaltë të Krimesë pas Luftës së Dytë Botërore dhe u rishikuan pas tranzicionit demokratik të vendeve të Europës Lindore. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për zonat e ndikimit amerikan dhe rus, por edhe të shteteve tjera si Kina, Turqia, Mbretëria e Bashkuar ose edhe Bashkimi Europian (BE). A do të arrihet ndonjë marrëveshje dhe sa do të prodhojë ajo një paqe të qëndrueshme, kjo është një çështje rëndë e parashikueshme.

Shqiptarët në botën e re

Raporti i SHBA-ve me shqiptarët nuk do të ndryshojë në thelb, por do të bëhet më realist dhe më pragmatik. Njëjtë siç pretendon Trump-i pronësinë mbi Kanalin e Panamasë (i ndërtuar nga SHBA në vitin 1904), ai e sheh Kosovën si krijesë amerikane. Ringjallja e Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila u arrit në shtator të vitit 2020 midis Aleksandar Vuçiqit të Serbisë dhe Avdullah Hotit të Kosovës, disa muaj para se Trump-i ta humbë garën për mandatin e dytë, pritet që të bëhet realitet sapo që Kosova t’i ndërtojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të shkurtit. Idetë kreative për zgjidhjen e problemit Prishtinë-Beograd po ashtu do të rikthehen në tavolinë. Paralelisht me këtë, në Shqipëri do të ketë tentime të forcimit të së djathtës me qëllim të instalimit të aleatëve të Trump-it në një vend që shquhej për një qeveri të afërt me familjen e George Soros-it, të cilin Trump-i e sheh si rrezikun më të madh për doktrinën e tij. Edhe nëse nuk arrin ta kthejë të djathtën në pushtet, kjo nuk do të thotë se në Shqipëri do të nxiten revolucione. Kryeministri Edi Rama e ka atë instinkt kolektiv të mbijetesës, i cili e njeh mirë fuqinë e tij dhe fuqinë e Trump-it dhe, në këtë raport, i përshtatet realitetit të ri. Shembull është rasti me Italinë, ku Rama ndërtoi marrëdhënie të shkëlqyera me kryeministren Giorgia Meloni, e cila erdhi në këtë post si përfaqësuese e një partie që llogaritet e ekstremit të djathtë, që aktualisht është e afërt me Trump-in.

Zgjidhja e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë mund të ndikohet nga epilogu i luftës në Ukrainë. Ngrirja e konfliktit në Ukrainë për një kohë të pacaktuar – me qëllim të rikthimit të normalitetit në zonat e luftës e që më pastaj të kërkohet një zgjidhje racionale – është epilogu më i mundshëm i luftës atje. Por, nuk përjashtohet edhe opsioni i shkëmbimit të territorit midis Ukrainës dhe Rusisë. Në rastin e parë, pra të ngrirjes së konfliktit, palët do t’u rikthehen obligimeve të Marrëveshjes së Minskut të vitit 2015, e cila parasheh formimin e njësive vetëqeverisëse për rusët etnikë në Krime, Donbas dhe Donjetsk dhe një ndarje të pushtetit në baza etnike në nivel të shtetit ukrainas. Në rastin e dytë, atë të shkëmbimit të territorit, do të aplikohet formula e zgjidhjes së luftës midis Finlandës dhe Rusisë në vitin 1944, e cila njihet si “territor për paqe”. Finlanda i dha Rusisë 20 për qind të territorit të saj, përfshirë një qytet të banuar me afër gjysmë milionë banorësh. Edhe në rastin e Kosovës dy opsione do të sillen në tavolinë: vazhdimin e konfliktit të ngrirë me Marrëveshjen e Brukselit (Asociacionin e Komunave Serbe) apo shkëmbim territoresh për paqe (korrigjimi i kufirit).

Çdo zgjidhje në Kosovë, ndërkohë, do të ndikojë te shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut. Sidomos nëse Shkupi do të ngelet jashtë procesit të negociatave për integrim në BE, një union që e projekton veten si një faktor gjeopolitik dhe që mendon për formimin e forcave të përbashkëta ushtarake. Nëse Maqedonia e Veriut nuk i bashkohet Shqipërisë në trenin drejt BE-së dhe mbetet në një stacion me Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, kjo situatë do ta ekspozojë ndaj çdo epilogu të mundshëm në Ballkan. Aq më tepër kur Serbia dhe Bullgaria pretendojnë në legjitimitet historik mbi Maqedoninë e Veriut shkaku i Traktatit të Shën Stefanit (1878) apo Traktatit të Bukureshtit (1913), kurse Greqia nuk është aq e lumtur për emrin që mbart fqinji i saj verior. Sidoqoftë, shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut e kanë projektuar të ardhmen e tyre në një shtet të drejtë, të përbashkët me maqedonasit dhe të tjerët, të integruar në NATO dhe BE. Kjo nuk do të thotë shkëputje nga trungu etnik shqiptar ose tjetërsim etno-kulturor, por veprim në përputhje me konceptet moderne të shtetit.

Çfarëdo që të ndodhë në skenën globale, shqiptarët etnikë në Ballkan për herë të parë janë më të përgatitur, më syçelë, më të ditur, më proaktivë dhe me një instinkt edhe më të fuqishëm mbijetese. Kjo nuk ishte realitet në katër fazat e mëhershme, kur bota pësoi transformime rrënjësore. Lufta e Parë Botërore i gjeti pa shtet e ushtri, pa ekonomi të konsoliduar dhe me mbi 90 për qind analfabetizëm. S’kishte se si të ishte më ndryshe koha e errët që pasoi. Pas Luftës së Dytë Botërore i gjeti gati në të njëjtën gjendje, por tashmë me një identitet të konsoliduar etnik dhe kombëtar. Periudha që pasoi sërish nuk ishte e ndritur. Pas rënies së komunizmit shqiptarët etnikë në Ballkan sot jetojnë në dy shtete (Shqipëri, Kosovë), kurse në dy shtete të tjera janë hisedarë (Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi), me praninë dhe anëtarë të NATO-s, në proces të integrimit në BE, me shkollim të hovshëm dhe të gjithmbarshëm dhe me konkurrueshmëri në nivele globale. /revistashenja