Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Bota islame është nën kërcënimin e mediave islamofobike”

“Bota islame është nën kërcënimin e mediave islamofobike”

XHIDE (AA) – Zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmuş, ka marrë pjesë në Konferencën e 11-të të Ministrave të Informacionit të Vendeve Islame. Konferenca është organizuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik(OBI) në Xhide të Arabisë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim të mbajtur ne këtë konferencë, Kurtulmuş është shprehur se “Sot ka një parregullsi në botën islame i cila është shkaktuar nga 5 shtete në botë. Kemi të bëjmë me shumë shkelje të të drejtave të komuniteteve muslimane në botë.”

Duke vënë në dukje se Turqia është e vendosur në mbështetjen ndaj OBI-së, Kurtulmuş në vijim shtoi: “Në këtë kuadër ne do të vazhdojmë të punojmë bashkë me Organizatën e Bashkëpunimit Islamik për çështje të ndryshme, si ajo e Jerusalemit, krizës në Siri, Mianmar dhe në vende të ngjashme ku ka shkelje të të drejtave të muslimanëve.”

“Duhet të përhapim anën e vërtetë të Islamit” 

Duke tërhequr vëmendjen edhe për vendet islame, Kurtulmuş u shpreh: “Me marrëveshjen Sykes Picot e cila u realizua pas Luftës së Parë Botërore, kufijtë në vendet islame u bënë në formë jo të rregullt. Ndërsa përmes një projekti të ngjashëm sot po mundohen të ndajnë mendjet dhe zemrat tona. Sot bota islame në çështjet e mediave dhe informacionit ndodhet përballë presionit të mediave globale islamofobike. Për këtë arsye kjo mbledhje ka një rëndësi të veçantë pasi do të diskutohet për përdorimin e teknologjive të reja, formimin e mekanizmave të lëvizjeve të përbashkëta, etj. Është i rëndësishëm hartimi i një plani strategjie për përdorimin sa më të efektshëm të mediave klasike, medias së re dhe mediave sociale. Në këtë mënyrë bota islame do të kuptojë më mirë dhe në mënyrë reale atë që ndodh. Për këtë arsye duhet të pasqyrohet pikëpamja jonë e përbashkët si dhe duhet të punohet për pasqyrimin dhe shpjegimin e Islamit të vërtetë. Zgjedhja e temës ‘Lufta kundër terrorizmit dhe Islamofobisë si dhe roli i medias së re’ për këtë konferencë është një gjetje e mirë.”

Ndërkohë Kurtulmuş duke folur për ndihmën e ofruar nga vendet e OBI-së pas tentativës për grusht shteti nga FETÖ, i ka falënderuar ata për këtë ndihmë.

“FETÖ, një kërcënim për vendet anëtare të OBI”

Ndërsa në lidhje me kërcënimin e FETÖ-s në Turqi dhe vendet e tjera të botës Kurtulmuş është shprehur: “FETÖ nuk është një kërcënim vetëm për Turqinë, por për të gjitha vendet anëtare OBI-së dhe ato mike. Kjo organizatë terroriste momentalisht ka shtrirë aktivitetin e saj në 170 vende të botës. Duke krijuar mjegull në mendjet e të rinjve në këto vende kjo organizatë i çon ata të dalin kundër vendit të tyre dhe të jenë një kërcënim për ta. Turqia është e gatshme të ndajë çdo përvojë dhe ndihmë për të zhdukur njëherë e përgjithmonë këtë kërcënim në këto vende. Për fat të keq kjo organizatë terroriste keqpërdor besimin fetar dhe me anë të një besimi të shtrembër të Mehdiut (shpëtimtarit) është një kërcënim jo vetëm për vendet islame, por për të gjithë botën. Nuk do të harrojmë kurrë dyfytyrësinë e mediave ndërkombëtare të mbajtur kundrejt popullit dhe demokracisë turke pas asaj tentative tradhtare për grusht shteti më 15 korrik. Kjo përvojë e Turqisë i ka treguar edhe njëherë vendeve të OBI-së së sa e rëndësishme është një strategji e re në fushën e medias.”


Exit mobile version