SARAJEVË, 21 nëntor /ATSH-AFP/ – Në vitin 1994, Suhra Mustafiçit i caktohet baraka 21 e kampit të të shpërngulurve të Jezevac, ku do të priste fundin e konfliktit në Bosnje, por një çerek shekulli më pas, ajo vazhdon të jetojë po aty.
Suhra Mustafiç dhe katër fëmijët e saj nuk janë kthyer kurrë në fshatin e tyre, në lindje të Bosnjes.
Që prej fillimit të konfliktit boshnjak (1992-1995), ata ishin larguar nga Skelani, në lumin Darina që ndan Bosnjen nga Serbia.
Bashkëshorti i saj u vra disa muaj më vonë në Srebrenicë duke luftuar kunder forcave serbo-boshnjake të Ratko Mladiçit, i cili do të njihet nesër me vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
Në moshën 54-vjeçare, e sëmurë dhe gati e verbër, ajo është pjesë e një grupi prej rreth 400 personash që janë vendosur provizorisht mes një pylli me pisha dhe të një miniere qymyri.
Ky kamp është shndërruar në një lagje të mjerë në periferi të Tuzalas (verilindje).
Shumica e këtyre banorëve vijnë nga rajoni i Srebrenicës, ku në korrik 1995 ndodhi masakra kunder 8 000 burrave dhe adoleshentëve boshnjakë (myslimanë) nga forcat serbo-boshnjake.
Barakat, 35 metra katrore, nuk ishin ideuar për të zgjatur. Tavani i mbuluar nga një plasmas blu, nderkohe qe Suhra ngre tapetin për të treguar një dysheme të pisët. Ndërsa ato pakë mobilje të vjetra janë duke u kalbur.
Por, ajo nuk ka menduar asnjëherë të rikthehet në Skelan, 140 kilometra në juglindje.
“Kurrë! Edhe sikur të më jepnin një shtëpi me pesë katë në fshatin tim, apo pesë shtëpi, nuk do të kthehem atje. Aty nuk ka më asnjë që mund ta ndaj ditën time. Familja ime është zhdukur. Ato të fqinjëve gjithashtu”, thotë 54-vjeçarja.
Të burgosur të traumës së tyre
Skelani gjendet në Republikën Serpska, njësia e serbëve të Bosnjes. Jezevac është në etnitetin kroato-mysliman. Kjo ndarje e Bosnjes u vendos nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit (SHBA) për të ndërprerë luftimet pas një konflikti që ka shkaktuar 100 000 të vdekur dhe 2,2 milionë të shpërngulur.
Sipas Branka Antiç Stauber, drejtoreshë e shoqatës “Forca e Gruas” në Tuzla, “këto gra, shpeshherë vejusha, nuk janë larguar nga qendrat e përbashkëta, të burgosura nga trauma e tyre sepse ato nuk kanë arritur kurrë të dalin nga ngërçi ku gjenden”.
“Përtacia është vrasësi i heshtur i këtyre njerëzve. Fakti që i kemi mësuar me një marrëdhënie varësie duke u dhënë për vite atë që kishin nevojë, nuk ka bërë gjë tjetër përveç se të thellojë pasivitetin. Kjo ka shuar nevojën për punë dhe ambiciet e tyre”, shpjegon kjo mjeke.
Refugjatë që në lindje
Haxhira Ibrahimoviç jeton në këtë qendër që prej moshës 13-vjeçare. Ajo aty ka ngritur familjen e saj.
“Tre fëmijët, 18, 11 dhe pesë vjeç janë refugjatë që në lindje”, thotë kjo grua 38-vjeçare, me origjinë nga rajoni i Srebrenicës dhe që jeton me çfarë mundet.
Do të mbledhim qymyr dhe do ta shesim. Ne nuk mund të kthehemi. Shtëpia është shkatërruar, nuk ka më asnjeri në fshat, nuk ka shkollë…”, thekson ajo.
Mes këtyre refugjatëve, vejushat marrin një pension mujor prej 184 eurosh, me të cilën jetojnë edhe të afërmit e tyre.
“Gjenerata e tretë e këtyre fëmijëve po fillon të lindë në këto qendra të përbashkëta. Po konstatojmë një kalim të traumës tek fëmijët dhe nipërit”, shton Branka Antiç Stauber.
Psikologe dhe asistente sociale në shoqatën e saj, ajo viziton dy herë në javë këtë qendër.
Ajo mbështetet nga Gjermania dhe Holanda, por jo nga autoritetet dhe as shoqatat e viktimave.
“Politikanët vijnë të na takojnë para zgjedhjeve. Gratë e shoqatave për nënat e Srebrenicës nuk kanë ardhur asnjëherë!”, shprehet e zhgënjyer Suhra Mustafiç.
Rreth 9 000 boshnjake vazhdojnë të jetojnë në 156 qendra të përbashkëta në gjithë vendin. Ministrja e Refugjatëve, Semiha Borovaç, ka vendosur si objektiv mbylljen e tyre deri në vitin 2020. Por, kjo parashikon krijimin e banesave sociale./ Agjencia Telegrafike Shqiptare/