Bosnjë dhe Hercegovina shënon ditëlindjen e Alija Izetbegoviçit, presidentit të parë të kombit

Alija Izetbegoviç

Bosnjë dhe Hercegovina sot shënon ditëlindjen e 96-të të Alija Izetbegoviçit, presidentit të parë të vendit të pavarur, shkruan Anadolu Agency (AA).

Izetbegoviç ishte një figurë kyçe në historinë e trazuar të rajonit të Ballkanit.

Politikani, shkrimtari dhe juristi, i cili u bë i njohur gjatë luftës së hidhur të vendit në periudhën 1992-1995, kujtohet me lutje çdo vit në ditëlindjen e tij në Varrezën e Dëshmorëve Kovaçi në kryeqytetin Sarajevë.

Analisti politik palestinez Sari Orabi beson se mund të tërhiqet paralele midis luftës palestineze dhe asaj boshnjake.

Ekzistonte një projekt boshnjak lirie pas rënies së Jugosllavisë dhe refuzimit të pavarësisë së Bosnjës nga serbët. Po ashtu, palestinezët kanë një projekt të ngjashëm që po bllokohet nga disa palë arabe dhe globale.

Të dy rastet janë të ngjashme për sa i përket ekzistencës së një projekti shfarosës dhe mohimit të një pranie politike, e cila, siç tha Orabi, anashkalohet në mënyrë universale.

“Të dy vendet janë të ekspozuara ndaj luftërave të rregullta kundër rrënjëve të identitetit të tyre origjinal”, tha Orabi.

Karakteri i Alija Izetbegoviçit është një kombinim i shumë aspekteve që supozohet se gjenden në personalitetin e çdo udhëheqësi të një kombi që lufton për çlirimin nga pushtimi, tha ai.

“Mendoj se aspekti më i rëndësishëm i personalitetit të Izetbegoviçit është aspekti moral. Kjo ishte e qartë në udhëheqjen e tij të projektit të çlirimit të Bosnjës si një projekt i gjithë kombit boshnjak, e jo një projekt personal,”, shprehet Orabi.

Ai beson se udhëheqësit politikë bashkëkohorë palestinezë po përjetojnë një krizë morale që reflektohet në performancën politike. Kjo mund të shihet në retorikën e paqartë politike të udhëheqjes palestineze, e cila është ende pa një vizion të qartë.

“Alija Izetbegoviçi e dinte se çfarë donte në nivelet intelektuale dhe politike. Ai donte të ringjallte identitetin boshnjak dhe të shpëtonte popullin boshnjak brenda mundësive të disponueshme të një popullsie të vogël”, theksoi Orabi.

Shkrimtari palestinez bëri thirrje për frymëzim nga qartësia e historisë intelektuale dhe politike të Izetbegoviçit nga udhëheqja politike palestineze për të prezantuar një projekt çlirimi serioz dhe të përcaktuar mirë.

“Ka një krizë të vjetër morale në lëvizjen çlirimtare palestineze. Vuan nga përdorimi i saj për interesa personale, dhe kjo nuk gjendet në personalitetin e Izetbicoviçit”, deklaroi Orabi. /aa