Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ndarë detaje për eliminimin e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, duke e përshkruar atë si figurë kyçe në rrjetin rajonal të aleatëve të Iranit, të njohur si “boshti i rezistencës”.
“Do të thoja se ai manipulonte Iranin më shumë sesa manipulohej prej tij. Ai ndikonte Iranin më shumë sesa ndikohej vetë,” tha Netanyahu për Nasrallah. “Ai ishte boshti i boshtit, dhe nëse e hiqnim atë, boshti do të shembej.”
Netanyahu deklaroi se kishte miratuar vendimin për vrasjen e Nasrallahit në shtator të vitit të kaluar, teksa ishte rrugës për në SHBA për të mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Sipas tij, ai kishte kundërshtuar njoftimin paraprak të aleatëve amerikanë për sulmin, edhe pse kishte zhvilluar një mbledhje virtuale me kabinetin e tij nga një hotel në New York për të diskutuar “logjistikën” e operacionit.
Ditën pas fjalimit të tij në OKB, avionë luftarakë izraelitë bombarduan me një sasi të madhe eksplozivësh një strukturë nëntokësore në Bejrutin Jugor, duke vrarë Nasrallahun dhe disa nga ndihmësit e tij.
Netanyahu tha se pas fjalimit në OKB, një asistent i dorëzoi një shënim ku shkruhej “e kryer” në hebraisht.
“Eliminimi i Nasrallahut e goditi rëndë boshtin. Ishte një goditje e jashtëzakonshme. Disa njerëz janë të pazëvendësueshëm, dhe deri tani, ai ka qenë i tillë,” përfundoi kryeministri izraelit.








