Teksa Kosova po përballet me gjendje të rëndë ekonomike të krijuar nga pandemia COVID-19, disa zyrtarë kanë vendosur të rehatojnë vetën. Më 3 dhjetor 2020, në mbledhjen e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Postës së Kosovës është vendosur të rritet paga për 30% për zyrtarët të saj të lartë. Si duket zyrtarët e lartë nuk e kanë hallin e punëtorëve të tyre që nuk kanë marrë ende pagat e muajit të kaluar e kjo për shkak të gjendjes aspak të mirë financiare të kësaj ndërmarrjeje.
Ndonëse Bordi i kaluar i Postës për shkak të gjendjes së keqe financiare i kishte zbritur pagën zyrtarëve të lartë të kësaj ndërmarrje publike, lajmi.net merr vesh se bordi i ri ka marr vendim t’i rehatojë zyrtarët e lartë paga të majme. Se nga kush ka ardh ky propozim nuk thuhet në dokument.
Në dokumentin e siguruar nga lajmi.net Kryeshefit të Postës (19 nëntor), Xhevdet Smakiqi, do të marr pagë hiç më pak se 2 mijë e 500 euro. Paga enorme kanë edhe zyrtarë të tjerë: Zëvendës i Kryeshefit Ekzekutiv, 2100 euro, zyrtar kryesor i Financave dhe Thesarit 2100 euro, këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës 2100 euro, zyrtar i Auditimit të Brendshëm 2100 euro.
Smakiqi ka vendosur të mos jetë i kujdesshëm sikurse ish-U.D. i Kryeshefit Ekzekutiv, Salih Morina, i cili kishte vendosur për uljen e pagave 30 % për zyrtarët e lartë të kësaj ndërmarrje publike, për shkak të gjendjes së rëndë financiare të saj.
Vendimi i rritjes së pagave të zyrtarëve të lartë të Postës thotë:
Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të NPQ-së Posta e Kosovës SH.A., në përputhje me Ligjin mbi NP Nr.03/L-087 dhe ndryshimeve dhe plotësimit të Ligjit mbi NP Nr.04/L-111, në takimin e rregullt nr.17, i mbajtur më datë 03/12/2020, merr këtë vendim:
Miratohet, kthimi i përkohshëm i koeficientit të mëparshëm për grada 17 dhe 16, me koeficent/Paga bruto, sipas tabelës më poshtë.
Kryeshefit Ekzekutiv, 2500 euro
Zëvendës i Kryeshefit Ekzekutiv, 2100 euro
Zyrtar kryesor i Financave dhe Thesarit 2100 euro
Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës 2100 euro
Zyrtar i Auditimit të Brendshëm 2100 euro
Vendimi hyn në fuqi më datë: 03/12/2020
Si arsyetim, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës thotë se ka qenë diferenca e pagave mes gradës 17 dhe 16 me gradat 15 e më poshtë e duke mos përmendur askund nëse ka probleme financiare apo janë rregulluar ato.
“Deri të miratimi i këtij vendimi për kthimin e përkohshëm të koeficientit të mëparshëm për gradat 17 dhe 16, ka ardhur si rezultat i diferencës së pagesës disbalansuese në mes të gradave të mëposhtme, përkatësisht në mes të gradës 17 dhe 16 me grada 15 e më poshtë. Ky vendim është i përkohshëm, përkatësisht deri sa të bëhet rikustruktimi i përgjithshëm i koeficienteve pagave për të gjithë punëtorët e Postës së Kosovës Sh.A”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryesues i Bordit të Përkohshëm Leonard Shabanaj .
Kujtojmë, se në Mbledhjen e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Postës së Kosovës, e mbajtur më 26 maj 2020, me propozimin e U.D. Kryeshefit Ekzekutiv, Salih Morina, ishte vendosur për uljen e pagave 30 % për zyrtarët e lartë të kësaj ndërmarrje publike, për shkak të gjendjes së rëndë financiare të saj.“Vullnetarisht ishte deklaruar U.D. Kryeshefi Ekzekutiv, Salih Morina për zbritjen e pagës së tij, nga paga që kishte: 2,500 euro, tani me zbritje do ta ketë 1,750 euro”, njoftoi Posta e Kosovës.
Po ashtu për 3 pozitat e zyrtarëve të lartë: Sekretari i Postës, Zyrtari Kryesor Financiar dhe Thesarit, si dhe Zyrtari i Auditimit të Brendshëm, u vendos që pagat nga 2,100 euro, tani me zbritje t’i marrin 1,450 euro.