Bora shkakton vonesa në Aeroportin “Adem Jashari”
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ka pasur vonesa në disa fluturime, edhe pse momentalisht është i hapur për aterrim.
Këtë e ka bërë të ditur, Unidon Krasniqi, zëdhënës në Aeroportin “Adem Jashari”.Ai ka thënë se fluturimet në ANP “Adem Jashari” po realizohen përkundër reshjeve të pandërprera të borës.
“Fluturimet në ANP “Adem Jashari” po realizohen përkundër reshjeve të pandërprera të borës, me vonesa në disa prej tyre si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, gjegjësisht dukshmërisë së ulët. Ekipet tona janë të përgatitura dhe po punojnë në vazhdimësi për të mundësuar realizimin e fluturimeve të parapara. I lusim udhëtarët që të jenë në kontakt me kompanitë ajrore përkatëse në rast të vonesave apo edhe anulimeve të mundshme”, ka shkruar Krasniqi.