Blushi provokatori

Justinian Topulli

Nuk e dimë se çfarë halli ka ky njeri: a dëshiron thjesht të tërheqë vëmendjen me provokimet e tij “artistike,” herë tendencioze, herë në dukje “dashamirëse” e njëkohësisht cinike?
Çfarë kërkon të na përcjellë me artin e tij provokativ, ndërkohë që islamizimin e shumicës së shqiptarëve e konsideron si fatkeqësinë më të madhe historike të këtij populli?
Çfarë mesazhi dëshiron të na japë me fotot e tij nga Medina dhe Meka një jomysliman ateist, i cili për më tepër ka fyer në mënyrën më të rëndë Profetin e Islamit me “artin” e tij provokativ?
A nuk e di ky njeri se hyrja e sojit të tij në qytetin e shenjtë të Mekës është e ndaluar me Kuran dhe përbën gjithashtu një shkelje ligjore?
Çfarë kërkon të tregojë, se ka zbuluar atë tolerancë dhe mirësi të Islamit që bashkëkombësit e tij myslimanë, sipas tij, nuk e kanë?
Çfarë kërkon ky njeri të shpalosë publikisht vallë? Dilemat e tij ekzistenciale, ndërkohë që fantazon për një parajsë të ardhshme tokësore pa Zot dhe vuan i trishtuar të sotmen, sepse shumica e bashkëkombësve të tij këtë Zot e quajnë Allah?
Ndoshta të gjitha këto bashkë. Ndoshta asnjëra prej tyre.
Por një gjë ai duhet ta dijë mirë: myslimanët e këtij vendi e njohin mirë atë, provokimet e tij dhe urrejtjen patologjike që ai ka ndaj Islamit dhe Profetit të tij. Për këtë arsye, ata nuk duan të fotografohen me të dhe nuk pranojnë të identifikohen me një njeri si ai, sepse e respektojnë veten dhe atë që besojnë.
Ndërsa ti, Blush, si një njeri pa din e pa iman, nuk ke asnjë skrupull moral të dalësh në foto me ata myslimanë të panjohur, dashamirës siç janë mbarë myslimanët, që nuk do të pranonin kurrë të afroheshin me atë që ka përfolur nderin e Profetit të tyre, të cilin ti me “artin” tënd e ke nëpërkëmbur.

Hoxhë: Justinian Topulli