Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Bllokon qeveria gjermane bashkimin familjar të refugjatëve?

Bllokon qeveria gjermane bashkimin familjar të refugjatëve?

Në Greqi mijëra refugjatë presin të bashkohen me familjet në Gjermani, megjithëse kanë një premtim për të vazhduar udhëtimin drejt këtij vendi. Bashkimi familjar ishte temë e rëndësishme në fushatën zgjedhore gjermane.

Refugjatë në kampin Moria, Greqi

Sipas një raportimi në media e drejta e refugjatëve në Gjermani për të tërhequr familjet e tyre që presin në Greqi zbatohet me ngurrim tejet të madh.

Nga Janari deri në Shtator 2017, Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) u ka dhënë lejen rreth 4950 refugjatëve në Greqi, ndër ta 3000 fëmijëve, të vijnë në Gjermani në kuadër të bashkimit familjar, shkruan gazeta gjermane „Osnabrücker Zeitung”./dw/

Por realisht kanë ardhur vetëm 322 persona, thekson media gjermane bazuar në përgjigjen e qeverisë gjermane me kërkesë të partisë E Majta. Dy të tretat e të prekurve janë sirianë dhe irakianë, mes tyre ka mjaft fëmijë e të të rinj, rreth 60%.

Sipas rregullores së Dublinit, të afërmit e refugjatëve kanë të drejtë bashkimi familjar me familjarët që jetojnë në vende të tjera. Bashkimi familjar duhet të bëhet shpejt, më së voni pas gjashtë muajsh.

Në këtë kategori të bashkimit familjar, nuk bëhet fjalë për bashkimin me familjarë nga vendi origjinë, i cili për refugjatët me statusin e mbrojtjes së përkohshme është i bllokuar deri në vitin 2018.

E Majta: Mjaft me truke

Ekspertja e partisë “Majta” për çështjet e politikës së Brendshme në Bundestag, Ulla Jelpke kërkon t’i jepet fund kufizimeve antiligjore të bashkimin familjar. „Duhet të marrin fund truket dhe kufizimi antiligjor që i bëhet bashkimit familjar.” Të prekurit duhet të kenë mundësi të vizitojnë me përgjegjësinë e tyre familjet në Gjermani, sipas politikanes së majtë.

Ministria e Brendshme gjermane ofron si arsye për vonesat në bashkimin familjar probleme koordinimi logjistik në Greqi. Arsye tjetër janë edhe kapacitetet e kufizuara të federatës e landeve në pranimin, kujdesin e strehimin e familjarëve që duhet të vinin në Gjermani.

Këtë pranverë, Gjermania ka rënë dakord me Greqinë për një numër të caktuar të personave që duhet të vijnë në Gjermani./Mesazhi/

 

 

Exit mobile version