Një tjetër gomone është ndaluar nga autoritetet italiane. Guardia di Finanza është njoftuar nga autoritetet shqiptare për një mjet të dyshimtë lundrues, që ishte nisur nga Durrësi.
Sipas mediave të shtetit fqinj në operacion ka marrë pjesë dhe një helikopter i Agjencisë Europiane, Frontex.
Në bordin e gomones 10 metra e gjatë, me dy motorë me nga 350 kuaj fuqi secili u gjetën ton e gjysmë marijuanë. Gjithashtu u arrestuan dhe tre skafistët shqiptarë: 26, 34 dhe 42 vjeç.
Lënda narkotike ishte e ndarë në 78 pako të madhësive të ndryshme. Gjithashtu u sekuestrua dhe një revolver me pesë plumba. Droga nëse hidhej në treg kapte vlerën e 15 milionë eurove.