Izraeli ka bllokuar hyrjen e ndihmave humanitare përmes pikës kufitare Rafah për 100 ditë radhazi, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 1.000 fëmijëve, pacientëve dhe njerëzve të plagosur, tha të mërkurën Zyra e Medias në Gaza. Kreu i kësaj zyre Ismail Althwabta, foli në një konferencë për shtyp për ndikimin shkatërrues të bllokadës izraelite, e cila pengon furnizimet mjekësore, delegacionet shëndetësore dhe të gjitha format e ndihmës të hyjnë në Rripin e Gazës.
Ai theksoi se kjo e përkeqësoi situatën tashmë të vështirë mjekësore dhe humanitare.
“Bllokada ka rezultuar drejtpërdrejt në vdekjen e më shumë se 1.000 fëmijëve, pacientëve dhe njerëzve të plagosur për shkak të mungesës së qasjes në kujdesin e nevojshëm mjekësor”, tha Althwabta, duke e përshkruar situatën si “një fatkeqësi humanitare që prek të gjitha aspektet e jetës në Gaza”.
Ai shtoi se bllokada pengoi gjithashtu 25.000 pacientë dhe të lënduar që të kërkonin trajtim jashtë vendit, duke e përkeqësuar krizën humanitare në enklavë.
Një zyrtar palestinez e quajti mbylljen e kalimit në Rafah një “shkelje të ligjit ndërkombëtar” dhe i bëri thirrje komunitetit botëror që të bëjë presion ndaj Izraelit dhe ShBA-ve për të rihapur vendkalimin dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave në Gaza.
Në shkelje të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me dënimin ndërkombëtar në mes të ofensivës së tij të vazhdueshme brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga grupi palestinez Hamas.
Prej atëherë, rreth 40.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 92.000 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Izraeli është akuzuar për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë një operacion ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se një milion palestinezë kërkuan strehim nga lufta përpara se të sulmohej më 6 maj. .