Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të premten se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe i ka bërë presion Kremlinit të pranojë propozimin që Washingtoni ka paraqitur për të siguruar lirimin e dy amerikanëve të arrestuar në Rusi, shkruan Reuters.
Në bisedën e tyre të parë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, dy diplomatët u përpoqën t’u përmbaheshin qëndrimeve të tyre ekzistuese.
“Ne patëm një bisedë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë”, ka thënë Blinken në një konferencë shtypi në Departamentin e Shtetit. “Unë i bëra presion Kremlinit të pranojë propozimin që ne bëmë për lirimin e Paul Whelan dhe Brittney Griner”, shtoi ai.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se telefonata zgjati rreth 25 minuta dhe ishte pa polemika.
Lavrov i sugjeroi Blinkenit që të dy palët të kthehen në diplomaci të qetë për çështjen e shkëmbimit të të burgosurve.
“Lidhur me shkëmbimin e mundshëm të shtetasve rusë dhe amerikanë të burgosur, pala ruse sugjeroi fuqimisht një kthim në praktikën e trajtimit të kësaj në mënyrë profesionale dhe përdorimit të ‘diplomacisë së qetë’ në vend të hedhjes së informacionit spekulativ”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse. /koha