Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë transferuar praninë e saj diplomatike nga Kabuli i Afganistanit në Doha të Katarit, njoftoi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
SHBA-ja njoftoi përfundimin e tërheqjes së të gjitha forcave të saj nga Afganistani, duke i dhënë fund luftës 20-vjeçare, deklaroi Blinken në një konferencë shtypi në Washington duke shtuar se “ka filluar një kapitull i ri i angazhimit të Amerikës me Afganistanin”.
“Tani ne atje do të udhëheqim me diplomacinë tonë. Misioni ushtarak ka përfunduar. Ka filluar një mision i ri diplomatik”, theksoi ai.
“Nga sot, ne i dhamë fund pranisë tonë diplomatike në Kabul dhe transferuam operacionet tona në Doha të Katarit, e cila së shpejti do t’i njoftohet zyrtarisht Kongresit”, tha ai.
Kryediplomati amerikan tha se duke pasur parasysh mjedisin e pasigurt të sigurisë dhe situatën politike në Afganistan, ishte hapi i matur që duhej ndërmarrë. /atsh