Blinken: Operacioni i madh ushtarak izraelit në Rafah do të ishte një gabim

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se një ofensivë e madhe izraelite në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës është e “panevojshme” dhe do të ishte një “gabim”, transmeton Anadolu.

Blinken këtë e tha në konferencën e përbashkët për media në Kajro me homologun e tij egjiptian, Sameh Shoukry. Ai gjithashtu tha se ka një mënyrë më të mirë për t’u marrë me “kërcënimin e vazhdueshëm të paraqitur nga Hamasi”, sesa të shkosh me një operacion ushtarak në Rafah.

Blinken theksoi se një operacion i tillë ushtarak në Rafah do të “përkeqësonte situatën”, si dhe përsëriti refuzimin e SHBA-së për çdo zhvendosje të detyruar të palestinezëve apo ri-okupimi të Rripit të Gazës.

Për bisedimet e vazhdueshme indirekte midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas për të arritur një armëpushim në Gaza, Blinken tha se “është e vështirë të arrish atje, por besoj se ende është e mundur”.

Ai theksoi se “boshllëqet po ngushtohen” në bisedimet e vazhdueshme në Katar dhe theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë “të nxisë për një marrëveshje në Doha”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vazhdimisht është zotuar se do të nisë një ofensivë tokësore në Rafah.

Disa vende, përfshirë SHBA-në, i kanë kërkuar Izraelit të shmangë nisjen e ofensivës së planifikuar në Rafah, e cila është shtëpi e pothuajse 1.4 milionë palestinezëve të zhvendosur.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Afër 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe rreth 74.200 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.