Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi të mërkurën se presidenti i Rusisë Vladimir Putin mund të urdhërojë shumë shpejt pushtimin e Ukrainës nëse gjen një pretekst, por në një rast të tillë NATO është gati të përgjigjet me sanksione të rënda ekonomike.
Sipas Blinken, ka të dhëna se Rusia po planifikon aksione të mëdha agresive kundër Kievit.
“Ne nuk e dimë nëse presidenti Putin ka vendosur të pushtojë, por dimë se ai po shfrytëzon të gjitha kapacitetet për ta bërë këtë në një kohë të shkurtër nëse vendos. Ndaj, pavarësisht pasigurive për qëllimin dhe kohën, ne duhet të përgatitemi për të gjithë skenarët, ndërsa punojmë që Rusia të ndryshojë kurs”, tha Blinken.
Ndërkohë, duke folur në një ceremoni në Kremlin, ku mori akreditimet e ambasadorëve të huaj, Putin theksoi se Rusia do të kërkojë garanci të besueshme dhe afatgjatë nga Perëndimi për sigurinë e saj, duke përjashtuar një ekspansion të mëtejshëm të NATO-s pranë kufijve të vendit të tij.
“Të gjithë janë në dijeni të garancive verbale se NATO nuk do të zgjerohet në Lindje, por çdo gjë është bërë në kahun e kundërt. Shqetësimet legjitime të Rusisë mbi sigurinë janë injoruar dhe ende injorohen”, tha Putin.
Asnjë vendim nuk u mor gjatë samitit të ministrave të Jashtëm në Riga, por mesazhet e dërguara janë të qarta. Rusia duhet të ulë tensionet në kufijtë e Ukrainës. Ministrat e vendeve anëtare të NATO-s duket se janë të unifikuar kur thonë se kostoja në rast të një aksioni ushtarak ndaj Ukrainës do të jetë e lartë.
Por, Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, prandaj kur flasim për koston, flasim për sanksione politike dhe ekonomike. Dhe sërish, NATO s’mund ta sanksionojë Rusinë në mënyrë direkte.
Ajo duhet të bëhet nga secili vend anëtar, me Aleancën që po përpiqet t’i koordinojë. /euronews