Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit po “qëndron” pavarësisht një sërë incidentesh, ndërsa Bejruti fajëson Tel Avivin për mbi 100 shkelje nga forcat izraelite që nga nënshkrimi i saj javën e kaluar, transmeton Anadolu.
“Armëpushimi po qëndron dhe ne po përdorim mekanizmin që u krijua kur ka lindur ndonjë shqetësim për ndonjë shkelje të supozuar”, u tha Blinken gazetarëve pas një takimi të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në Bruksel.
Ai po i referohej mekanizmit mbikëqyrës të krijuar nga SHBA-ja dhe Franca, të cilat kanë thënë se “sigurojnë që armëpushimi të monitorohet dhe zbatohet në mënyrë efektive”.
“Ne duam të sigurohemi që të vazhdojë të funksionojë”, tha kryediplomati amerikan.
Deklaratat e tij erdhën pasi Izraeli dhe Hezbollahu akuzohen për shkelje të armëpushimit, i cili hyri në fuqi të mërkurën e kaluar me shpresën për t’i dhënë fund luftimeve 14-mujore midis ushtrisë izraelite dhe grupit të rezistencës me bazë në Liban.
“Unë mendoj se, në thelb, të dyja palët, domethënë Izraeli dhe Hezbollahu, përmes qeverisë libaneze, donin dhe vazhdojnë të duan armëpushimin”, tha ai, duke shtuar: “Ne duhet të sigurohemi që ai të respektohet dhe ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë”.
Pa dhënë detaje të mekanizmave të zbatimit, Blinken tha: “Nëse ka shqetësime se njëra apo tjetra palë po shkel armëpushimin, ai vjen tek ne dhe në një mënyrë ose tjetër, ne angazhojmë palët”.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë në faza forcat e tij në jug të Linjës së Kaltër, kufirit “de fakto” midis vendeve, teksa ushtria libaneze vendos forcat e saj në Libanin jugor brenda një maksimumi prej 60 ditësh.
Që kur marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi më 27 nëntor, Libani ka raportuar mbi 120 shkelje nga forcat izraelite.
Sipas një raporti të Anadolus bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 14 persona janë vrarë dhe 13 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga java e kaluar.