Blinken këtë javë udhëton në Iz’rael dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, këtë javë do të qëndrojë për vizitë në Izrael dhe në vende të tjerë të Lindjes së Mesme, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se në të gjithë rajonin Blinken do të diskutojë “rëndësinë e përfundimit të luftës në Gaza, sigurimin e lirimit të të gjitha pengjeve dhe zbutjen e vuajtjeve të popullit palestinez”.

“Ai do të vazhdojë diskutimet për planifikimin e periudhës pas konfliktit dhe do të theksojë nevojën për të përcaktuar një rrugë të re përpara që u mundëson palestinezëve të rindërtojnë jetën e tyre dhe të realizojnë aspiratat e tyre të lira nga tirania e Hamasit. Ai do të theksojë se ushqimi, ilaçet dhe ndihma të tjera humanitare duhet t’u dorëzohet civilëve në Gaza”, tha Miller.

Përveç Izraelit, Miller nuk specifikoi se cilat vende do të vizitohen nga Blinken.

Ai tha se sekretari amerikan do të diskutojë edhe nevojën për të arritur një zgjidhje diplomatike për konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollahut libanez, një marrëveshje që zbaton plotësisht Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe lejon civilët në të dy anët e Linjës së Kaltër, kufirit ‘de fakto’ midis Izraelit dhe Libanit, të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Ai do të riafirmojë angazhimin e SHBA-së për të punuar me partnerët në të gjithë rajonin për të ulur tensionet dhe për të siguruar stabilitet të qëndrueshëm”, tha Miller.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se po dërgon sekretarin e shtetit në Izrael dhe se ai është më “shpresues” për një armëpushim në Rripin e Gazës pas vdekjes së liderit të Hamasit, Yahya Sinwar.

Shtëpia e Bardhë për muaj të tërë ka kërkuar të arrijë një marrëveshje armëpushimi, por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar t’i japë fund ofensivës izraelite në Gaza.

Duke shpërfillur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas vitin e kaluar.

Të paktën 42.600 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 99.800 të tjerë janë plagosur. Sulmet izraelite kanë shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së Gazës mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet në Rripin e Gazës.

Muajin e kaluar, Izraeli i shtoi sulmet e tij në Libanin fqinj, pavarësisht paralajmërimeve se një gjë e tillë rrit rrezikun e një lufte më të madhe rajonale.