Blinken: E gjithë popullata në Gaza përballet me pasiguri serioze ushqimore

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken lidhur me situatën në Gaza në të cilën janë shteruar me shpejtësi burimet ushqimore dhe ku populli lufton me urinë tha se “E gjithë popullata në Gaza përballet me pasiguri serioze ushqimore”, transmeton Anadolu.

Blinken foli në një konferencë të përbashkët për media që zhvilluan në kryeqytetin e Filipineve, Manila, me ministrin e Jashtëm të Filipineve, Enrique Manalo.

“Popullata në Gaza ka nevojë për ndihmat”, tha Blinken duke thënë se fëmijët, gratë dhe meshkujt që jetojnë në Gaza ndodhen përballë një situatë të tmerrshme humanitare”.

Blinken iu referua raporteve të ndryshme që trajtojnë problemin ushqimor në Gaza. Ai tha se “E gjithë popullata në Gaza përballet me pasiguri serioze ushqimore”.

Blinken më tej tha se Izraeli “duhet ta bëjë përparësi mbrojtjen e civilëve dhe të ndihmojë ata që kanë nevojë dëshpërimisht për ndihmë humanitare”.

– Vizita në Arabinë Saudite dhe Egjipt

Blinken vuri në dukje se ai do të “ushtrojë presion për armëpushim në Gaza” gjatë vizitave që do të zhvillojë këtë javë në Arabinë Saudite dhe Egjipt.

Ai theksoi se në bisedimet që do zhvillojë në kuadër të vizitave do të diskutojë për sigurimin e armëpushimit në Gaza, lirimin e pengjeve dhe rritjen e hyrjes së ndihmave humanitare në rajon. Blinken tha se me liderët me të cilët do të takohet do të konsultojë “arkitekturën e drejtë për paqen e përhershme rajonale”.

– Blinken dhe Manalo diskutuan edhe Detin e Kinës Jugore

Ministri i Jashtëm i Filipineve, Manalo tha se me sekretarin Blinken diskutuan për situatën në Detin e Kinës Jugore. Ai tha se Filipinet i trajtojnë mosmarrëveshjet në përputhje me interesat e tyre kombëtare, sipas rregullit ndërkombëtar të bazuar në ligjin dhe rregullat ndërkombëtare, kryesisht Konventën e ligjit Detar të OKB-së (UNCLOS).

“Ne riafirmuam pikëpamjen tonë të përbashkët se një Filipine e Fortë dhe e aftë do të jetë një aleat i fortë për SHBA-në”, theksoi Manalo.

Blinken përsëriti “angazhimet e fuqishme” të Washingtonit për të mbrojtur Filipinet kundër sulmeve të jashtme.