Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Blinken diskuton për Lindjen e Mesme me homologët e Britanisë, Gjermanisë, Francës...

Blinken diskuton për Lindjen e Mesme me homologët e Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken diskutoi për Lindjen e Mesme në një telekonferencë me sekretarin e Jashtëm britanik David Lammy, ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ministrin francez të Evropës dhe Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot dhe zëvendëskryeministrin italian dhe ministër i Jashtëm, Antonio Tajani, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se Blinken ka zhvilluar biseda me Lammy, Baerbock, Barrot dhe Tajani. Në deklaratë thuhet se ministrat diskutuan për sulmet raketore të Iranit ndaj Izraelit dhe se “koordinimi është i rëndësishëm për t’iu përgjigjur kësaj”.

Ministrat theksuan se ishte e rëndësishme të zbatohet rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thuhet në deklaratë ku vihet në dukje se është e nevojshme të krijohet “zonë e sigurt” në jug të Libanit, të forcohet Forca e Përkohshme e Paqes e OKB-së në Liban (UNIFIL) dhe të sigurohen kushtet që izraelitët dhe libanezët të kthehen në shtëpitë e tyre.

Më tej në deklaratë thuhet se në lidhje me gjenocidin e Izraelit në Gaza, ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë diskutuan mbi “përpjekjet për zgjidhjen e çështjes me një marrëveshje armëpushimi që përfshin rritjen e qasjes në ndihmën humanitare dhe shkëmbimin e pengjeve”.

Exit mobile version