Blinken dënon “fuqishëm” su’lmin te’rrorist në Ankara

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dënoi “fuqishëm” sulmin terrorist fatal të së mërkurës kundër kompleksit të Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ), në të cilin u vranë të paktën pesë persona dhe u plagosën 22, transmeton Anadolu.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me aleatin tonë Turqinë dhe dënojnë fuqishëm sulmin e sotëm terrorist. Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre”, shkroi Blinken në X.

Një shpërthim dhe të shtëna armësh u dëgjuan në objektet e TUSAŞ-it në rrethin Kahramankazan të Ankarasë.

Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya tha se ka “shumë të ngjarë” që grupi terrorist PKK të jetë përgjegjës, duke shtuar se Turqia do të ndajë identifikimet dhe provat e tjera pasi ato të bëhen të qarta.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan po ashtu e dënoi sulmin, duke thënë se ai synoi “mbijetesën, paqen dhe iniciativat e mbrojtjes” të vendit.

“Sulmi terrorist kundër TUSAŞ-it, një nga organizatat lokomotivë të industrisë turke të mbrojtjes, është një sulm i neveritshëm që synon mbijetesën dhe paqen e vendit tonë dhe iniciativat tona mbrojtëse që janë simboli i idealit tonë të ‘Turqisë Plotësisht të Pavarur’”, ka deklaruar Erdoğan.

“Që në momentin e parë të sulmit terrorist, forcat tona të sigurisë ndërhynë me shpejtësi dhe neutralizuan terroristët”, tha ai, duke shtuar: “Kombi ynë duhet ta dijë se duart e pista që shtrihen drejt Turqisë do të thyhen patjetër; asnjë strukturë, asnjë organizatë terroriste, asnjë bosht i së keqes që synon sigurinë tonë nuk do të jetë në gjendje t’i arrijë qëllimet e tyre”.

Forcat e sigurisë, zjarrfikësit dhe ekipet e ndihmës mjekësorë u dërguan në zonë, ndërsa personeli i TUSAŞ-it u drejtua në strehimore për arsye sigurie.

Zyra e Kryeprokurorit Publik të Ankarasë ka nisur një hetim.