Blinken bisedon me liderët e Lindjes së Mesme pas njoftimit të Iz’raelit se “ka vrarë liderin e Ha’masit”

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken zhvilloi biseda telefonike me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan dhe presidentin izraelit, Isaac Herzog, në të cilat u diskutua lidhur me njoftimin e Izraelit se ka “vrarë ​​liderin e Hamasit, Yahya Sinwar”, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet se Blinken ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me homologët e tij nga Katari, Arabia Saudite dhe Izraeli. Blinken shkëmbeu mendime me Al Thani dhe Bin Farhan lidhur me njoftimin e Izraelit mbi vrasjen e liderit të Hamasit, Sinwar dhe diskutoi përpjekjet në rritje për t’i dhënë fund konflikteve në Lindjen e Mesme.

Gjatë bisedave u theksua rëndësia e udhërrëfyesit për banorët e Gazës për të “rindërtuar qytetet dhe jetët e tyre” pas përfundimit të konfliktit, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se Blinken përsëriti mbështetjen e SHBA-së ndaj nismave diplomatike në drejtim të “zgjidhjes së konflikteve në ‘Vijën e kaltër’ në kufirin Izrael-Liban në përputhje me Rezolutën 1701 të KS-OKB-së”.

Më tej deklaratë thuhet se “Blinken përgëzoi presidentin izraelit Herzog për vrasjen e Sinwarit dhe përsëriti angazhimin e SHBA-së për sigurinë e Izraelit”.

Në bisedën mes sekretarit amerikan dhe presidentit izraelit është diskutuar edhe çështja e “marrjes së hapave urgjente për lirimin e pengjeve në Gaza dhe përfundimin e luftës me qëllim uljen e vuajtjeve të popullit palestinez”.